IKSHPK: Vaksina kundër kancerit të mitrës tani ofrohet edhe për vajzat 13 deri 21 vjeçe
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se tash e tutje ofrohet vaksinimi kundër Human Papilloma Virusit (HPV) edhe për vajzat nga mosha 13-21.
Përmes një njoftimi zyrtar, thuhet se për këtë grup-moshë vaksinimi kundër HPV bëhet në baza vullnetare.
Po ashtu, kanë bërë të ditur se pas fazës së parë të suksesshme të vaksinimit kundër HPV, për vajzat e klasave të gjashta, sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, tani ka filluar faza e dytë, gjatë të cilës deri më 31 dhjetor 2024, vaksinën kundër HPV mund ta marrin edhe vajzat të cilat s’janë vaksinuar gjatë fazës së parë.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton se, me rekomandim të Komitetit Profesional Këshillues për Vaksinim, dhe me miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë, tash e tutje, ofrohet vaksinimi kundër Human Papilloma Virusit (HPV) edhe për vajzat nga mosha 13-21 vjeçe. Për këtë grup-moshë, vaksinimi kundër HPV bëhet në baza vullnetare. Vaksinimi bëhet në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse dhe në IKSHPK”, thuhet në postimin e tyre.