Pirja e çajit shumë të nxehtë dyfishon rrezikun e prekjes nga kanceri
Shumë njerëz e nisin ditën me një filxhan çaj. Por që ata që e pinë atë shumë të nxehtë janë më të rrezikuar që të preken nga kanceri i ezofagut, thotë një studim i ri.
Hulumtuesit kanë gjetur se konsumuesit e çajit të cilët duan që pija e tyre të jetë më e ngrohtë se 60 gradë celsius dhe që pinë më shumë se 700 mililitra çaj brenda ditës – dy filxhanë të mëdhenj – janë më të rrezikuar për 90 për qind që të preken nga ky lloj kanceri.
Kjo vlerë del kur krahasohet me ata që pinë më pak çaj dhe në temperaturë më të ulët, shkruan CNN.
Studimi është kryer në Golestan, një krahinë në verilindje të Iranit dhe si mostër ka 50 mijë njerëz.
“Shumë njerëz e shijojnë pirjen e çajit. Por sipas studimit tonë kur ai është shumë i nxehtë rritet rreziku i prekjes nga kanceri i ezofagut dhe është mirë që para pirjes të pritet që pijes t’i bjerë pak temperatura”, ka thënë Dr. Farhad Islami, nga “American Cancer Society” që është prijës i studimit.
Edhe hulumtimet paraprake kanë gjetur një lidhje në mes të pirjes së çajit të nxehtë dhe kancerit të ezofagut. Por studimi i tanishëm – i publikuar të mërkurën – është i pari që përcakton një temperaturë specifike.
Kanceri i ezofagut është kanceri i tetë më i zakonshëm në botë dhe shpesh përfundimi është fatal, ku merr jetën e 400 mijë njerëzve çdo vit.
Ai shkaktohet nga lëndimet e ezofagut nga pirja e duhanit, alkoolit, acidit refleks dhe ndoshta pijeve të nxehta.
Ekipi që ka kryer studimin ka përcjell 50 mijë e 45 veta në mes moshës 40 dhe 75 vjet në periudhë kohore dhjetë vjeçare. Nga viti 2004 deri më 2017 hulumtuesit kanë vërejtur 317 raste të reja të prekjes me kancer në ezofag.
Studimi thotë se kishte nevojë për kërkime të mëtejme se pse saktësisht prija e çajit të nxehtë lidhet me rrezikun e lartë të shkaktimit të sëmundjes.
Stephen Evans, profesor në “London School of Hygiene & Tropical Medicine”, ka thënë se më shumë është te nxehtësia sesa lloji i pijes.
“Në fakt, gjithçka e nxehtë: Ushqimet që ngrohen në mikrovalë shkaktojnë lëndime në ezofag. Ekziston mundësia që këto trauma të shkaktojnë ndryshimin e qelizave dhe pastaj shkaktohet kanceri”.