Shpërthejnë sëmundjet seksuale në Shqipëri, marrëdhëniet me shumë partnerë shtojnë rastet
Marrëdhëniet seksuale të pambrojtura, me shumë partnerë apo sjelljet e tjera te rrezikshme seksuale po shtojnë infeksionet e transmetueshme në shoqërinë shqiptare.
Alarmi ngrihet nga mjekët e shërbimit infektiv në QSUT të cilët po konstatojnë rritje të rasteve me Sifiliz, me Hiv apo të dyja infeksionet së bashku.
Mjeku Arjan Harxhi tregon se vitin e fundit numri i të prekurve me sifiliz po arrin shifrat e sëmundshmërisë të shënuara në 10 vjet.
Mirëpo ajo që e bën edhe më alarmante situatën është fakti se sifilizi dhe infeksionet e tjera seksualisht të transmetueshme po konstatohen edhe tek të rinjtë e adoleshentët.
Mjekët rekomandojnë politika të veçanta për kontrolle, si dhe edukimin e të rinjve për rrezikun ndaj tyre.
Thuajse të gjithë pacientët e prekur nga sifilizi apo infeksionet e tjera seksualisht të transmetueshme, shkojnë në stade të avancuara të sëmundjes, duke rrezikuar shëndetin riprodhues deri në sterilitet. Ndërsa infeksioni nga HIV-AIDS merr jetën./A2 CNN