Shëndetësisë iu shtohen edhe 32 inspektorë, Kurti: Do të punohet për përmirësimin e kushteve në këtë sektor

Shëndetësisë iu shtohen edhe 32 inspektorë, Kurti: Do të punohet për përmirësimin e kushteve në këtë sektor

Shëndetësi April 15, 2024 - 17:28

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë mirëpritur 24 inspektorët e rinj shëndetësorë dhe 8 inspektorët e rinj farmaceutikë.

Kurti u shpreh i lumtur që numri i inspektorëve shëndetësorë është rritur nga 11 në 30, teksa tha se kjo është një gjë shumë e nevojshme për përmirësimin e kushteve në këtë sektor, raporton Zeri.info.

Me nënshkrimin e kontratave të reja, kryeministri u shpreh se duhen zgjidhje edhe për sfidat logjistike, me ç’rast janë nisur procedurat për objektin e veçantë për Inspektoratin që do të rinovohet, si dhe do të shtohet edhe flota e makinave që kontribuon në mbarëvajtjen e punës dhe shpejtësinë e rezultateve.

“Në të njëjtën kohë, është në finalizim e sipër Ligji për Inspektoratin Qendror që rregullon edhe më mirë ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive për inspektorët. Kësisoj, kapacitetet inspektuese pritet të jenë shumë të larta nga institucioni që vërejtjet e pakënaqësitë e disa qytetarëve mund t’i kthej në shërbim të përmirësuar për të gjithë qytetarët”, vazhdoi kryeministri.

Ndërsa, në lidhje me këtë ngjarje të rëndësishme, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shprehu falënderimet e tij në lidhje me punën e inspektorëve, duke iu referuar atyre si diga e fundit e cilësisë në shërbimet tona shëndetësore.

Ai premtoi se të gjitha kushtet logjistike, të gjitha ato që kanë nevojë si mjete të domosdoshme për punë, hapësirat ku do të punojnë si Ministri e Shëndetësisë së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, do t’ua plotësojnë të gjitha nevojat për gjithë këtë punë të jashtëzakonshme, e cila pritet të realizohet nga ata./Zëri