Dy orë në javë aktivitete fizike janë të pakta, thotë Selimi
Pas kërkimit të shtimit të orëve të edukatës fizike, dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi, ka thënë se kjo është një kërkesë e kamotshme e punëtorëve.
Selimi ka thënë: “Kemi gjetur një mbështetje nga kryetari i Komisionit për Arsim Sport dhe Kulturë, profesor Adrian Gola, që ne të shfaqim një hulumtim që ka të bëjë me mungesën e gjendjes fizike të mirë dhe shëndetësore të fëmijëve dhe adoleshentëve”.
Selimi tha se në kuadër të fakultetit me një mostër prej dy mijë fëmijëve të klasave të 6 dhe 7, kur janë krahasuar me vendet në rajon, ka dalë që gjendja shëndetësore e fëmijëve tanë nuk është e mirë.
“Ne kemi bërë kërkesa edhe në qeveritë e mëhershme, nuk është që nuk e kanë përkrahur, por veprime direkte dhe konkrete nuk kemi pasur,” shtoi ai.
Sipas tij, rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë se secili fëmijë duhet t’i ketë së paku 60 minuta aktivitet fizik në ditë, ndërsa në Kosovë janë dy orë në javë që janë të pakta dhe të mangëta. /dukagjini