Njëvjeçarit i shpëtohet jeta në QKUK, pasi gëlltiti një pjesë të lodrës
Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka bërë të ditur se në QKUK i është shpëtuar jeta një fëmije njëvjeçar, i cili kishte gëlltitur një pjesë të lodrës dhe kishte pasur vështirësi të madhe në frymëmarrje.
“Përdorimi i lodrave plastike nga fëmijët, në disa raste mund të shndërrohet në rrezik dhe jetë kërcënues. Një rast i tillë i rrezikimit të jetës tek një fëmijë i moshës njëvjeçar është paraqitur në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, ku fëmija gjatë lojës me një lodër kishte aspiruar një pjesë të lodrës dhe kishte vështirësi të madhe në frymëmarrje”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së, raporton Zeri.info.
SHSKUK-ja po ashtu ka njoftuar se fëmija njëvjeçar menjëherë nga Klinika Emergjente është transferuar në Klinikën e Otorinolaringologjisë për shkak të aspirimit të trupit te huaj (lodër plastike e rrumbullakët), gjë që e bën shumë të vështirë heqjen e trupit të huaj.
“Në këto kushte fëmija dërgohet me urgjencë në sallë të operacionit, ku thirret ekipi kujdestar i mjekëve të ORL-së, ata thërrasin me urgjencë mjekët e anestezionit, ku pas ndërhyrjes me bronkoskop, fëmijës i largohet pjesa e lodrës, i lirohen rrugët e frymëmarrjes dhe i shpëtohet jeta”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Me këtë rast mjekët apelojnë te prindërit të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët, duke mos u lënë gjëra të imëta që mund t’i gëlltisin dhe të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre. /Zëri