Alarm për prindërit, rritet për 53% numri i fëmijëve që përballen me kriza të shëndetit mendor

Alarm për prindërit, rritet për 53% numri i fëmijëve që përballen me kriza të shëndetit mendor

Shëndetësi February 08, 2024 - 09:28

Numri i fëmijëve të cilët përmballen me probleme apo kriza të shëndetit mendor në Angli është rritur në 53 për qind për katër vjet.

Kështu theksojnë të dhënat zyrtare nga Kolegji Mbretëror për Psikiatri, shkruan The Sun, transmeton Zeri.info.

Sipas tyre, rreth 32.521 persona nën 18 vjeç kërkuan shërbime për shëndetin mendor gjatë viteve 2022-2023 për dallim nga viti 2019-2020 që këto shërbime i kërkuan 21.242 persona.

Ky Kolegj ka thënë se këto shifra janë shqetësuese dhe se nuk duhet lejuar të bëhen normë e re.

Dr. Elaine Lockhart nga ky Kolegj thotë se është e papranueshme që kaq shumë fëmijë dhe të rinj po arrijnë pikën e krizës përpara se të jenë në gjendje të kenë qasje në kujdes.

“Sëmundjet e rënda mendore nuk janë vetëm një problem i të rriturve, nevoja për shërbime të specializuara të shëndetit mendor për fëmijët dhe të rinjtë po rritet vazhdimisht”, u shpreh ajo.

Ndër të tjera, theksohet se gjysma e këtyre krizave të shëndetit mendor shfaqen para moshës 14 vjeç, kurse pjesa tjetër para moshës 24 vjeç.

Të dhënat tregojnë se personat nën 18 vjeç duhet të presin nga pesë muaj deri në dy vjet për të marrë trajtimin e nevojshëm.

Ky Kolegj ka mirëpritur vendimin e Qeverisë që ndau pesë milionë funte për të përmirësuar qendrat ekzistuese që ofrojnë shërbime të shëndetit mendor. /Zëri