Rritja e rasteve të fruthit në Evropë, Kosova s’ka asnjë rast të konfirmuar

Rritja e rasteve të fruthit në Evropë, Kosova s’ka asnjë rast të konfirmuar

Shëndetësi January 27, 2024 - 09:03

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka alarmuar lidhur me rritjen e rasteve të fruthit në rajon dhe Evropë. Pavarësisht kësaj, në Kosovë nuk ka raste të konfirmuara me fruth. Institucionet e shëndetësisë apelojnë për vaksinim të fëmijëve.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik po mbikëqyr vazhdimisht situatën sa i përket përhapjes së fruthit. Kjo, pas rritjes së kësaj sëmundjeje ngjitëse në rajon e Evropë. Deri më tash, në Kosovë nuk ka raste të konfirmuara.

“Instituti Kombëtar përcjell ne vazhdimësi situatën epidemiologjike me të gjitha sëmundjet ngjitëse dhe jo ngjitëse. Kosova është e ruajtur nga sëmundjet e fruthit për shkak të suksesit të imunizimit kundër fruthit dhe sëmundjeve tjera. Për shkak se Kosova është e mbrojtur, nuk kemi asnjë rast të fruthit dhe sigurisht kjo do të përcillet në vazhdimësi”, thotë Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së.

Vaksinimi po shihet si mënyra më e mirë për parandalimin e përhapjes së fruthit. Prandaj, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, thotë se Kosova ka shkallë të mirë të vaksinimit.

"Me paraqitjen e rasteve të fruthit në Evrope, ministria e Shëndetësisë menjëherë ka komunikuar me IKSHPK-ne dhe ne raportet që na vijnë në baza ditore nga ky institut, jam i lumtur që akoma nuk kemi raste. Kjo tregon një punë të jashtëzakonshme që e bën edhe instituti por edhe kujdesi parësor shëndetësor në vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit, shkallë kjo që është mbi 90% e vaksinimit", thotë Vitia.

Fruthi është ndër sëmundjet më ngjitëse dhe me vdekshmëri më të lartë te fëmijët nën moshën 5 vjeç. Prindërve dhe kujdestarëve ligjorë u bëhet thirrje të kontrollojnë Kartelën e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata me kohë./rtk