Arsyet pse ju dhembin mishrat e dhëmbëve

Arsyet pse ju dhembin mishrat e dhëmbëve

Shëndetësi December 22, 2023 - 21:47

Dhimbja e mishrave të dhëmbëve mund të jetë shqetësuese, e madje mund ta bëjë më të vështirë procesin e ngrënies. Për fat të mirë, shumica e këtyre shqetësimeve largohen vetë me kalimin e kohës ose ju mund të përfitoni lehtësim nga trajtimet pa recetë dhe kujdesi në shtëpi.

Por, pavarësisht shkaqeve, mos i shpërfillni ose injoroni simptomat tuaja, veçanërisht nëse ato nuk përmirësohen ose përkeqësohen. Goja është porta e trupit, kështu që shëndeti oral mund të ndikojë në shëndetin e përgjithshëm dhe anasjelltas.

Më poshtë AgroWeb.org ju njeh me disa nga shkaqet më të zakonshme të dhimbjes së mishrave të dhëmbëve:

Jeni duke përdorur fillin dentar në mënyrën e gabuar

Mënyra e gabuar e përdorimit të fillit dentar mund të acarojë mishrat e dhëmbëve. Përdorimi i fillit në mënyrë agresive, ushtron shumë presion tek to, duke çuar në acarim. E gjithashtu edhe larja e ashpër e dhëmbëve mund të irritojë mishrat. Nëse vëreni se mishrat e dhëmbëve gjakosen pas përdorimit të fillit, kjo mund të tregojë se e nuk keni përdorur rregullisht dhe me shumë gjasa keni grumbullim të gurëzave. Përpiquni të mos ushtroni shumë presion kur pastroni dhëmbët dhe ruani një rutinë të rregullt të kujdesit ndaj tyre.

Mund t’i keni lënduar mishrat e dhëmbëve

Përtypja e ushqimeve krokante mund të shkaktojë lëndime tek mishrat e dhëmbëve. Ndonjëherë mund të ndodhë që një grimcë ushqimi të mbetet i bllokuar në dhëmbët tuaj duke krijuar shqetësim.

Mund të keni ndonjë plagë

Disa plagë të vogla shfaqen në përgjithësi në brendësi të buzëve, faqeve ose gjuhës, por është gjithashtu e mundur që ato të zhvillohen edhe tek mishrat e dhëmbëve. Lajmi i mirë është se nuk janë ngjitëse dhe zakonisht shërohen vetë brenda disa javësh. Për të lehtësuar dhimbjen provoni të shpëlani gojën me antiseptikë pa recetë. Gjithashtu shmangni konsumin e ushqimeve pikante.

Mund të jenë acaruar nga një pastrim dentar

Nuk është e pazakontë që mishrat e dhëmbëve të lëndohen pas një pastrimi të thellë tek dentist juaj. Në këtë rast koha dhe higjiena janë ilaçi më i mirë. Por nëse dhimbja ju shqetëson, provoni një qetësues dhimbjesh pa recetë. Dhe nëse simptomat vazhdojnë disa javë, kontaktoni dentistin tuaj.

Keni hequr një dhëmb

Zakonisht kjo ndodh për shkak të traumës dhe është diçka e zakonshme. Ajo që mund të bëni është që të kujdeseni më së miri për higjienën orale pas procedurës. Nëse dhimbja e mishrave të dhëmbëve zgjat më shumë se një javë ose dy, kontaktoni dentistin tuaj.

Jeni të sëmurë

I gjithë trupi juaj mund të ndjejë dhimbje kur jeni të sëmurë, dhe sigurisht që është e mundur që ato simptoma të shfaqen edhe tek mishrat e dhëmbëve. Kjo ndodh më së shumti kur keni ftohje të zakonshme ose disa lloje të infeksioneve të traktit të sipërm respirator. Dhimbja e mishit të dhëmbëve shpesh reduktohet kur simptomat e tjera të përmirësohen, e rëndësishme është që gjithmonë të ruani higjienën orale.

Për shkak të ndryshimeve hormonale

Ndryshimet në nivelet e hormoneve, si ato që ndodhin gjatë pubertetit, shtatzënisë dhe para apo pas menopauzës, mund të shkaktojnë shqetësime edhe në shëndetin oral. Ju mund të shihni se mishrat e dhëmbëve janë të fryrë, skuqur dhe janë më të butë. Kjo është një gjendje që kalon vetë ndërkohë që hormonet tuaja qetësohen. E rëndësishme është që të vazhdoni të ruani higjienën e mirë orale.

Keni dhëmb të prishur

Kavitetet janë zona të dëmtuara në sipërfaqen e fortë të dhëmbëve tuaj, që për disa njerëz mund të shoqërohen me dhimbje në mishrat e tyre. Prandaj në këto raste këshillohet të merrni ndihmë të specializuar nga dentisti juaj.