Shala: Ka rritje rastesh të diabetit te fëmijët
Foto: Zëri

Shala: Ka rritje rastesh të diabetit te fëmijët

Shëndetësi November 14, 2023 - 13:49

Në Kosovë po shënohet Dita Botërore kundër Diabetit. Sipas ekspertëve shëndetësorë, gjatë dy vjetëve të fundit ka rritje të diabetit te fëmijët. Ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka dhënë udhëzime se si ta parandalojmë këtë sëmundje.

Me aktivitete të shumta në Kosovë shënohet Dita Botërore kundër Diabetit. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, ekipe shëndetësore janë mobilizuar në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë dhe që nga mëngjesi kanë dhënë këshilla dhe kanë bërë matjen e sheqerit për qytetarë të interesuar.

Disa nga qytetarët, të cilët i ka intervistuar Radio Kosova, janë shprehur të kënaqur më këto aktivitete teksa kanë kërkuar aktivitete të tilla të bëhen më shumë edhe në të ardhmen për vetëdijesimin e sëmundjes së sheqerit, thonë qytetaret.

“Shumë mirë kanë bërë që kanë organizuar aktivitete të tilla, sepse na ndihmojnë shumë për vetëdijesim. Duhet të kemi kujdes nga diabeti sepse ta merr jetën. Unë për vete i bëj kontrollet dy herë në vit. Diabeti është sëmundje dinake që ta merr jetën prandaj, duhet ta bëjmë kontrolle”, ka theksuar një qytetar për Radio Kosovën.

Ndërsa endokrinologu Genc Shala për Radio Kosovën thotë se shkaktarët kryesorë që shkaktojnë diabetin janë: jeta pa aktivitet fizik, ushqimet e pashëndetshme, fjetja jo e mjaftueshme. Shala tutje thotë se në dy vitet e fundit kemi rritje të rasteve të diabetit te fëmijët.

“Vërehet se qysh para dy viteve prej periudhës së COVID-19 kemi një rritje të rasteve me diabet. Dyshohet se disa virus shkaktojnë diabetin e tipit 1 i cili trajtohet vetëm me insulinë. Por nuk mund t’ia lëmë gjithë fajin pandemisë, sepse studimet e ardhshme mund të tregojnë se a është apo jo Covid-19 shkaktar i rritjes se rasteve te fëmijët me diabet. Por disa statistika tregojnë që është rritur 25% më shumë”, thotë Shala.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë thonë se diabeti i tipi 2 në 50 për qind të rasteve mund të parandalohet. Po ashtu kryerja e kontrolleve të rregullta të sheqerit në gjak, 1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e të rrezikuarve, ndërkaq persona të tjerë 1 herë në 3 vjet.

Po ashtu rekomandohet kontrolli i rregullt i tensionit të gjakut, mbajtja e peshës nën kontroll, aktivitet fizik, përdorimi i ushqimeve të pasura me fibra etj.