IKSHPK: Diabeti, sëmundje që bën dëmtime serioze në organizëm
Shëndetësi
November 14, 2023 - 09:14
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në Ditën Botërore kundër Diabetit, bën të ditur se kjo është një sëmundje kronike metabolike që karakterizohet me nivele të larta të glukozës në gjak, e cila me kalimin e kohës çon në dëmtime serioze të zemrës, enëve të gjakut, syve, veshkave dhe nervave.
IKSHPK-ja në një njoftim thekon se më i zakonshmi është diabeti i tipit 2, zakonisht te të rriturit, i cili shfaqet kur trupi bëhet rezistent ndaj insulinës ose nuk prodhon mjaftueshëm insulinë.
“Në tri dekadat e fundit, prevalenca e diabetit të tipit 2 është rritur në mënyrë dramatike në të gjitha vendet, pa dallim nga niveli i të ardhurave. Më shumë se 500 milionë njerëz aktualisht jetojnë me diabet në të gjithë botën”, thuhet më tej.