Ngrënia e tepërt e kripës, mund të rrisë rrezikun e diabetit
Një studim i Universitetit Tulane lidh shtimin e shpeshtë të kripës në ushqime me një rrezik më të lartë të diabetit të tipit 2, duke sugjeruar se ulja e marrjes së kripës mund të jetë një masë parandaluese jetike.
Përfundimi ka ardhur pas anketimit të mbi 400 mijë personave, tek të cilët kanë zbuluar deri në 39% rritje të rrezikut për përdoruesit e rregullt të kripës.
Studimi që u publikua në revistën Mayo Clinic Proceedings, ka sugjeruar që personat me diabetin e tipit 2, pos shmangies së përdorimit të sheqerit, tani duhet të anashkalojnë edhe përdorimin e kripës.
Personat që morën pjesë në këtë studim, u përcollën për një mesatare prej 11.8 vitesh, ku më shumë se 13,000 raste u regjistruan me diabetin e tipit 2.
Krahasuar me ata që “kurrë” nuk përdornin ose ata që përdornin “rrallë” kripë, pjesëmarrësit që përdorën “ndonjëherë”, “zakonisht” ose “gjithmonë” shtonin kripë, kishin një rrezik, përkatësisht 13%, 20% dhe 39%, më të lartë për të zhvilluar diabetin e tipit 2.
“Ne e dimë tashmë se kufizimi i kripës mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe hipertensionit, por ky studim tregon për herë të parë se heqja e kripës nga tavolina, mund të ndihmojë në parandalimin e diabetit të tipit 2 gjithashtu”, tha autori kryesor Dr. Lu Qi, profesor në Shkollën e Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale të Universitetit Tulane.
Qi beson se kripa i inkurajon njerëzit të hanë pjesë më të mëdha, duke rritur shanset për të zhvilluar faktorë rreziku si obeziteti dhe inflamacioni.
Studimi zbuloi një lidhje midis konsumit të shpeshtë të kripës dhe obezitetit më të lartë të belit ndaj ijeve.