Pesë gjëra që mund t’i tregojë gjuha për shëndetin tuaj
A e dini se gjuha mund të zbulojë shumë për shëndetin tuaj, nga tumoret e deri te goditjet në tru?
Kjo praktikë është përdorur nga herbalistët kinezë për më shumë se 2.000 vjet, ndërsa tani po përdoret nga inteligjenca artificiale për të diagnostikuar sëmundjet nga distanca.
Një studim nga ekspertë irakianë dhe australianë tregoi se analiza gjuhësore diagnostikoi saktë gjendjet shëndetësore në 94 për qind të rasteve. Këtë e realizuan duke bërë që 50 pacientë me sëmundje të tilla, si diabeti dhe anemia, t’i fotografonin gjuhën e tyre – shkruan The Mirror.
Këto imazhe u dërguan më pas në një kompjuter, i cili u programua për të zbuluar sëmundjen bazuar në studimet e mëparshme se si kushtet e ndryshme shëndetësore ndikojnë në ngjyrën, formën dhe strukturën e gjuhës.
“Mjekësia konvencionale e ka mbështetur prej kohësh këtë metodë, duke treguar se ngjyra, forma dhe trashësia e gjuhës mund të zbulojë shenja të diabetit, problemet e mëlçisë, problemet e qarkullimit dhe tretjes, siç janë sëmundjet e gjakut dhe të zemrës”, ka thënë autori i studimit, profesor Ali Al-Naji, nga Universiteti i Australisë Jugore.
Përderisa shumica e ndryshimeve në formën, ngjyrën dhe strukturën e gjuhës janë të padëmshme, disa kërkojnë vlerësim dhe trajtim nga një profesionist mjekësor.
Gjuha e verdhë
Gjuha e verdhë mund të jetë shenjë e diabetit. Kjo për shkak se njerëzit me këtë gjendje kanë nivele të larta të sheqerit në pështymë, gjë që nxit rritjen e baktereve në gjuhë.
Në raste të rralla, një gjuhë e verdhë mund të jetë gjithashtu shenjë e problemeve të mëlçisë ose fshikëzës së tëmthit, veçanërisht kur shfaqet verdhëza.
Gjuha vjollcë
Sipas Oral Cancer Foundation, disa tumore, përfshirë kancerin e gjuhës, mund të prodhojnë një ngjyrë të kuqe të errët ose vjollcë në sipërfaqet e gojës. Mund të gjakderdhë dhe nuk do të zhduket. Dhimbja e vazhdueshme e fytit, gëlltitja e dhimbshme dhe ndjesia e djegies në gjuhë, janë tregues të tjerë të kancerit.
Gjuha e kuqe
Të kesh një gjuhë të kuqe mund të jetë një shenjë e COVID-19. Një studim i vitit 2022 në Ukrainë ekzaminoi imazhet e gjuhëve të 135 pacientëve me coronavirus duke përdorur një telefon celular.
Rezultatet zbuluan se 64 për qind e rasteve të infeksionit të butë kishin një gjuhë rozë të zbehtë, 62 për qind e rasteve të moderuara tregonin një gjuhë të kuqe, ndërsa 99 për qind e infeksioneve të rënda me COVID kishin gjuhë të kuqe të errët.
Gjuha e shtrembër
Gjuha paksa e kuqe dhe e shtrembër mund të jetë një shenjë paralajmëruese e një goditjeje në tru – ka zbuluar një studim tajvanez. Goditja në tru është një gjendje shumë serioze, në të cilën ndërpritet furnizimi me gjak në një pjesë të trurit.
Në një punim të vitit 2012, studiuesit thanë se njerëzit përjetojnë “devijim gjuhësor” gjatë ose pas një goditjeje në tru. Ndodh kur qarkullimi i gjakut ndërpritet në një pjesë të caktuar të trurit.
Gjuha e ënjtur
Gjuha e fryrë mund të jetë shenjë e inflamacionit, e njohur ndryshe si glositi. Edhe pse duken të fryra, gjuhët e inflamuara mund të duken gjithashtu me shkëlqim dhe të kuqe.
Mund të shkaktohet nga një reaksion alergjik, goja e thatë, lëndimi ose mungesa ushqyese, si anemia. /telegrafi