Si të përgatitemi për shtatzëni?

Si të përgatitemi për shtatzëni?

Shëndetësi September 29, 2023 - 10:20
Shkruan: Dr. Aulona Lulaj-Salihu, specialiste e Gjinekologjisë me Obstetrikë

Joçdoherë një shtatzëni është e planifikuar, në disa raste ndodh të jemi në situatë të një shtatzënie të dëshiruar, por jo të planifikuar. Kjo mund ta gjejë gruan shtatzënë në një gjendje jooptimale shëndetësore dhe kështu futemi joshëndetshëm në një shtatzëni. Kështu që në fillim të krijojmë parakushte jo të mira për mbarëvajtjen e shtatzënisë që nga koncepsioni.

Pastaj i kemi rastet ideale ku para konceptionit një grua bën të gjitha ato që këshillohen të bëhen para se të fillojmë një shtatzëni, duke i mënjanuar që në fillim pengesat e mundshme.

Në vazhdimësi do të cekim disa rekomandime se si do të ishte më mirë të përgatitemi para se të fillojmë shtatzëninë:

  • 1. Këshillohet një vizitë e mirëfilltë te gjinekologu, duke i përfshirë të gjitha ato që duhet t’i përmbajë një vizite rutinore.

Së pari bëhet inspektimi, ekzaminimi dhe palpimi i organeve gjinore, pastaj të merret mostra citologjike për Pap-test (varet kur është bërë herën e fundit) dhe duhet te trajtohet sipas rezultatit. Po ashtu edhe marrja e mostrës mikrobiologjike, pra marrja e mostrës nga sekreti (strisho) vaginal, cervikal dhe në disa raste duhet të testohet për infeksione specifike siç janë STD ose sëmundje seksualisht transmisive. Së fundmi, por jo më pak i rëndësishëm është ekzaminimi me ultrazë, sepse kështu analizohet forma, madhësia dhe karakteristikat e organeve të brendshme gjinore. Shikohet për prezencën e ndonjë formacioni në vezore, ndonjë nyje mijomatoze në mitër, vlerësohet forma e mitrës, prezenca e ndonjë anomalie në formë të mitrës etj. Të gjitha këto dhe më shumë mund të vlerësohen gjatë ekzaminimit me ultrazë.

  • 2. Nëse ndonjë nga ekzaminimet ose mostrat e marra të sipërpërmendura rezulton me veçori, atëherë duhet të trajtohen. Në ketë rast do të ndalesha tek infeksionet, sepse kanë një rëndësi madhore.

Prezenca e infeksioneve që nga fillimi i shtatzënisë dinë të shkaktojnë dështim (abort). Me vone dinë të na shtyjnë deri te lindja e parakohshme, sepse ndikojnë në shkrirjen dhe dilatimin e qafës së mitrës dhe në pëlcitje të parakohshme të cipave. Në rastet më të rënda mund të shkojë infeksioni deri te fryti dhe derivatet e shtatzënisë.

  • 3. Stabilizimi i sëmundjeve kronike dhe përshtatja e terapisë kanë shumë rëndësi.

Terapia duhet të modifikohet në rast se mund të jetë teratogjene (të dëmtojë frytin).

Diabeti duhet të jetë i mjekuar mirë, rekomandohet që rezultati i tremujorit të fundit të jetë jo më i lartë se 6.5%. Sëmundjet lidhur me gjëndrën tiroide (hipo dhe hipertireoza), çrregullimet hormonale, sëmundjet e zemrës, hipertensioni arterial, anemia, epilepsia etj. janë sëmundshmëri që mund të jenë preekzistuse dhe rekomandohet që në mënyrë interdisciplinare të krijohet një stabilitet të parametrave dhe përshtatja e terapisë në mënyrë që të futemi në shtatzëni.

  • 4. Rekomandohet që së paku tre muaj para koncepsionit të fillohet me marrjen e 400 mikrogramë acid folik.
  • 5. Përshtatja ose ndryshimi i stilit të jetës, duke përfshirë këtu pirjen e duhanit, alkooli, konsumimi i tepruar i kafeinës, mënyra e të ushqyerit, reduktimi i mbipeshës nëse është e mundur etj.

Këto që në pika të shkurtra disa rekomandime se si mund të futemi në shtatzëni me më pak rreziqe, sepse pastaj gjatë shtatzënisë jemi duarlidhur dhe mundësitë e intervenimit në situata të caktuara janë më të limituara.

Për informacione më të hollësishme lidhur me ndonjë sëmundshmëri ose pikat e lartcekura, ndihuni të lirë të konsultoni mjekun tuaj.

Image