Gjakderdhjet nga mitra
Sa herë që kemi ndryshime në gjakderdhjet mujore, si sasi të shtuar, zgjatje të gjakderdhjes ose gjakderdhje të ndërmjetme, shumica e grave mendojnë që janë çrregullime të ciklit menstrual, gjegjësisht çrregullime hormonale.
Mirëpo nuk është ashtu, kemi një numër të madh arsyesh pse kemi gjakderdhje nga mitra e jorrallëherë nuk ka lidhje me çrregullime hormonale, por ka ndonjë arsye tjetër.
FIGO (The International Federation of Gynecology and Obstetric) ka bërë një klasifikim të gjakderdhjeve anormale nga mitra, që duhet PALM-COEIN, duke i klasifikuar shkaqet e gjakderdhjes.
Për të mos ju ngarkuar shumë me gjëra profesionale, por vetëm me qëllim të informimit lidhur me arsyet pse mund të ketë një femër e moshës riprodhuese dhe jo shtatzënë gjakderdhje nga mitra, do t’i shtjellojmë në vazhdim nga pak të gjitha nga arsyet.
Polipi i Endometrit - është formacion beninje, por që mund të jetë supstrat ose terren i një sëmundjeje malinje, shkakton gjakderdhje të shtuar dhe të zgjatur, po ashtu nuk lejon hollimin e plotë të Endometrit. Më së miri vërehet me ultrazë në ditët e fundit të gjakderdhjes mujore kur normal endometri duhet të jetë i holluar dhe i rregullt. Është gjendje që mund të kurohet dhe nuk kërkon shqetësim.
Adenomioza - nëse Indi Endometrial gjendet në brendi të murit të mitrës, d.m.th. në shtresën muskulare të saj, i cili njihet si ndryshim beninje, atëherë edhe kjo formë e Endometriozës jep gjakderdhje anormale nga mitra, këto formacione po ashtu mund të vërehen me ultrazë.
Leiomyoma - Miomat janë formacione beninje, gërshetimi të fijeve fibrionoide, të cilat varësisht nga madhësia dhe vendndodhja e tyre mund të japin ndryshime në karakterin e gjakderdhjes, gjakderdhje më gjatë dhe sasi më e shtuar. Edhe këto formacione mund të vërehen gjatë ekzaminimit me ultrazë.
Malinjitetet - kanceret mund të jenë arsye e gjakderdhjeve nga mitra, si ato të Endometrit, ashtu edhe Karcinoma e qafës së mitrës shoqërohet me gjakderdhje, po ashtu për këto forma ekzistojnë mënyra diagnostikuese: siç janë Ultrazëri, kiretazha e kavitetit të mitrës, Pap-testi, biopsia.
Coagulopatite - çrregullimet në koagulimin ose ngjizjen e gjakut po ashtu mund të na japin gjakderdhje jonormale nga mitra, mund të jenë ndryshime në koagulimin e gjakut të lindura ose të fituara nga marrja e medikamenteve.
Disfunksionet e ovulacionit (ovulatory disfunction) - këtu jemi te çrregullimet hormonale të cilat çojnë në gjakderdhje anormale nga mitra edhe këto pas një vizite te mjeku gjinekolog, bërjen e analizave të paracaktuara nga mjeku dhe eventualisht me përshkrim te terapisë mund të rregullohet.
Endometrial – gjakderdhje të shkaktuar nga probleme të Endometrit, qoftë nder të tjera, një infeksion kronik i Endometrit, që duhet Endometritis, është e trajtueshme dhe kërkon vizitë te gjinekologu.
Iatrogjene – në këtë grup hyjnë problemet e shkaktuara nga jashtë (nga dora e mjekut) qoftë si pasojë e ndonjë ndërhyrjeje mjekësore paraprake ose nga dhënia e medikacionit.
Non other classified – që në gjuhën tonë nënkupton një grup ende të paklasifikuar.
Nga e gjithë kjo mund të nxjerrim përfundim se edhe pse grave në rast të gjakderdhjes nga mitra u shkon mendja që kanë të bëjnë gjithsesi me një çrregullim hormonal, mirëpo jo, duhet të dimë që kemi edhe një mori shkaqesh të tjera, që mund të japin gjakderdhje anormale nga mitra, që kërkojnë trajtim.