Fëmijët me mbipeshë janë më të rrezikuar që të zhvillojnë depresion më vonë gjatë jetës
Fëmijët me indeks të lartë të masës trupore (BMI) janë në rrezik më të madh për zhvillimin e depresionit më vonë gjatë jetës – tregon një studim i ri i realizuar nga King’s College në Londër.Sipas Daily Mail, mbipesha mes moshës 12 dhe 16 vjeçare ka pasur ndikimin më të madh në zhvillimin e depresionit.
“Të kuptuarit e marrëdhënies midis sëmundjes mendore dhe peshës në adoleshencë, është çelësi për të ofruar mbështetje në kohë aty ku është e nevojshme. Ky studim na tregon drejtpërdrejt lidhjen midis një BMI më të lartë në moshën 12 vjeçare dhe simptomat pasuese të depresionit në jetën e mëvonshme”, është shprehur Dr Ellen Thompson.Ndërsa Thalia Eley, profesoreshë e gjenetikës së sjelljes zhvillimore, ka shpjeguar se ky studim tregon qartë se adoleshenca e hershme është një pikë kritike për zhvillimin e simptomave depresive të lidhura me shtimin në peshë.“Puna me adoleshentët në fushën e perceptimit të bukurisë fizike është e një rëndësie të madhe. Kjo do të thotë se koncepti i bukurisë fizike duhet të ripërcaktohet për të rinjtë, ndërsa fokusi kryesor duhet të jetë në gjendjen psikologjike të fëmijës”, është shprehur ajo. /Telegrafi