Si t’i dalloni disa nga shenjat e fshehura të depresionit?
Depresioni është një gjendje mjekësore që shfaqet me disa simptoma, të cilat ndikojnë në mënyrën e të menduarit, ndjenjave dhe përballjes me aktivitetet ditore.Shpesh këto simptoma janë të fshehura dhe njeriu nuk e kupton nivelin e dëshpërimit.
Në vijim janë disa prej shenjave më të zakonshme të depresionit që shpesh qëndrojnë të fshehura:
Ndryshimet në oreks
Ngrënia e tepruar ose e pakët e ushqimeve mund të sinjalizojë praninë e depresionit – shkruan AgroWeb.org.
Disa njerëz e kanë ushqimin si ngushëllim, ndërsa te disa të tjerë disponimi largon mendjen nga ushqimi.
Këto ndryshime në ushqyerje mund të shkaktojnë rënie ose shtim në peshë.
Ndryshimet në cilësinë e gjumit
Gjumi dhe disponimi janë të lidhura fort me njëri-tjetrin.
Mungesa e gjumit mund të kontribuojë te shfaqja e depresionit dhe ky i fundit e bën gjumin shumë të vështirë.Sipas ekspertëve, njerëzit që vuajnë nga pagjumësia janë 10 herë më të rrezikuar nga depresioni.
Edhe gjumi i tepërt mund të sinjalizojë praninë e depresionit, thonë ekspertët.
Përdorimi i alkoolit dhe drogës
Njerëzit me çrregullime të disponimit mund t’i përdorin alkoolin dhe drogat e ndryshme për t’u përballur me ndjesinë e vetmisë, mërzisë dhe mungesës së shpresës.
Nga ana tjetër, njerëzit që pinë shumë alkool apo konsumojnë substanca narkotike, janë më të prirë të vuajnë nga çrregullimet e disponimit.
Lumturia e sforcuar
Në shumë raste, njerëzit e fshehin depresionin me buzëqeshje – që njihet si depresioni i buzëqeshur.
Njerëzit i maskojnë simptomat me një buzëqeshje, sidomos kur janë në praninë e të tjerëve.
Megjithatë kjo lumturi e sforcuar nuk zgjat shumë dhe mërzia, vetmia dhe mungesa e shpresës dalin sërish në sipërfaqe.
Lodhja
Plogështia e madhe dhe lodhja është një simptomë e përhapur e depresionit. Studimet tregojnë se 90 për qind e njerëzve që vuajnë nga depresioni ndihen shumë të lodhur.
Lodhja e vazhdueshme bashkë me simptoma të tjera, siç janë këto që përmendëm më lartë, mund të tregojnë një depresion të fshehur.
Mungesa e përqendrimit
Njerëzit që humbin fillin e mendimeve apo kanë vështirësi të përqendrohen janë të prekur nga depresioni.
Ky i fundit e bën më të vështirë përqendrimin dhe mund t’i sfidojë marrëdhëniet e punës dhe ato personale.
Përpos të tjerave, depresioni mund të shkaktojë edhe probleme fizike, siç janë: dhimbjet e shpinës, dhimbjet kronike, problemet me tretjen dhe dhimbjen e kokës.