Vizita vjetore te gjinekologu
Shpesh e kemi të pamundur për shkak të dinamizmit të jetës të gjejmë kohe dhe pa pasur ndonjë ankesë të bëjmë vizitë te mjeku.
Vizita te gjinekologu këshillohet të bëhet brenda një viti të paktën një herë në qoftë se nuk kemi ankesa fare e në rast të ndonjë ankese në çdo kohë.
Çka duhet të përfshijë një vizitë rutinore te gjinekologu?
Së pari, duhet ta shfrytëzoni mundësinë për një bisedë me një profesionist lidhur me të gjitha pyetjet dhe paqartësitë që keni, të merrni këshilla dhe rekomandime nga specialisti i lëmit.
Pastaj mund të vazhdohet me pjesën ekzaminuese të takimit rutinor me mjekun specialist.
1. Ekzaminimi gjinekologjik i cili përfshin inspektimin e organeve gjinore që shihen me sy dhe që mund të dallohen, siç janë: Vulva, Vagina Cervixi dhe vlerësimi i tyre për ndonjë ndryshim, qoftë si pasojë e infeksionit ose të natyrës tjetër, pastaj ekzaminimi me dy duar ose bimanual me anë të të cilit mjekut i mundësohet të vlerësojë madhësinë dhe lëvizshmërinë e mitrës, si dhe prezencën eventuale të ndonjë rritjeje në mitër ose në vezore ose ndonjë ndjeshmëri në prekje (dhembje) të organeve te brendshme gjinore.
2. Pap-Test dhe Strisho – Per Pap-Test e kemi të caktuar sipas protokollove se sa shpesh duhet të merret mostra për Pap-Test dhe varësisht edhe nga rezultati i Pap-Testit paraprak, po ashtu edhe strishot e thjeshta, pastaj merren gjatë vizitës rutinore në mënyrë që të vlerësojmë gjendjen nga ana e infeksionit dhe të trajtohen ato nëse janë prezente.
3. Ultrazë - një ultrazë i mirëfilltë, i cili na jep një pamje të qartë mbi organet e brendshme gjinore me anë të të cilit mund të vlerësojmë formën dhe madhësinë e mitrës, ndonjë rritje në mitër, trashësinë e Endometrit. Pastaj mund të vlerësohen vezoret a ka ndonjë rritje qoftë cistë ose tumor, vlerësohen hapësirat përreth mitrës mos kemi lëng të lirë ose jo, gjatë kësaj pjese të vizitës te mjeku juaj do të merrni përshkrime të detajuara mbi gjendjen tuaj aktuale.
Pjesë e ekzaminimit rutinor gjinekologjik janë edhe ndryshimet në lëkurë, këshillat dhe rekomandimet për gji, si ekzaminimi vetanak i gjirit për ndonjë masë ose formacion në gji ose lëkurë.
Në këtë formë do të jetë e kompletuar një vizitë rutinore te gjinekologu. Duhet të dimë që një sërë sëmundjesh të natyrës jo të mirë deri në stadet e avancuara mund të kalojë fare pa ndonjë shenjë klinike dhe momenti kur shfaqen shenjat klinike veç i kemi duart të lidhura për trajtim.
Ndër këto hyjnë për shembull sëmundjet malinje të qafës së mitrës, sëmundjet malinje të vezoreve, dëmtimet që mund të shkaktohen nga infeksionet etj.
Të gjitha këto mund të vërehen herët dhe të gjejnë trajtim ose shërim të plotë nëse detektohen me kohë.