Cilat janë komplikimet shëndetësore gjatë trajtimit të dhëmbëve, tregon stomatologu Lenjani

Cilat janë komplikimet shëndetësore gjatë trajtimit të dhëmbëve, tregon stomatologu Lenjani

Shëndetësi August 24, 2023 - 15:02

Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte njoftuar se ka pranuar kallëzimin penal kundër dy të dyshuarve që janë arrestuar nën dyshimin për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, ku si pasojë një 35-vjeçare ka ndërruar jetë.

Dentisti, Berat Lenjani i ka shprehur ngushëllime familjes, duke thënë se është “një ngjarje që ka ndodhur ditën e djeshme dhe nuk është ngjarje të cilën do ta dëshironte asnjë njeri në botë”.

Lenjani ka potencuar se “secila klinikë do të duhej ta kishte, të cilën besoj që e kanë një pjesë shumë e madhe, do të duhet ta kishte një formular të cilin pacienti që në hyrje përgjigjet disa pyetje rreth shëndetit të tij”.

Stomatologu ka bërë të ditur se pacienti duhet të tregojë nga historitë e kaluara se a ka pasur ndonjë reaksion alergjik apo a i është kumtuar nga prindi i tij që nga fëmijëria, dhe disa pyetje të tjera të cilat bëhen që në start në bashkëbisedim e sipër në mes të doktorit dhe pacientit.

“Ne pacientin përveç të dhënave të përgjithshme të tij e pyesim edhe për gjendjen shëndetësore të tij, gjendja shëndetësore nënkupton atë të kaluarën dhe momentalen. Rreth asaj bisede disa minutëshe ne aty e marrim një burim te informacioneve dhe momentin kur e shohim se pacienti po tregon shqetësimin në ato qasje, në momentin që e shohim dhe e vlerësojmë që nuk është diëçka e madhe ne vazhdojmë, ndërsa në momentin që dyshojmë dhe shohim diçka tjetër, ne kërkojmë një mendim të mjekut i cili merret me trajtimin e sëmundjes bazë, do të thotë na duhet një përgjigje me shkrim nga ana e tij”, ka theksuar Lenjani.

Tutje, Lenjani ka bërë të ditur se “para dhjetë viteve, ka qenë numri i stomatologëve dukshëm më i vogël dhe puna ka qenë më e paktë, kurse sot edhe pse është rritur numri prapë edhe puna është rritur. Kjo është një indikator që faktikisht niveli i shëndetit oral është në ngritje”.

Në studio, dentisti Lenjani është pyetur edhe për veshjen e dhëmbëve me “Veeners” apo veshje estetike kohëve të fundit në vendin tonë.

“Është e paimagjinueshme të vendoset një Veeners dhe te mos gërryhet dhëmbi, por vetëm në disa raste nga 100 pacientë vetëm dy ose tre pacientë i plotësojnë kushtet për të vendosur dhëmb të cilët nuk duhet gërryer”, ka përfunduar Lenjani.Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë dje ka njoftuar se ordinanca ku është trajtuar tani e ndjera, ka vepruar ilegalisht.

Edhe Oda e Stomatologëve të Kosovës ka reaguar pas rastit në Malishevë, ku dyshohet se një grua ka vdekur si pasojë e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor. Ata u zotuan se pas marrjes së raporteve nga Inspektorati Shëndetësor, do t’i marrin masat e duhura ndaj stomatologut.