Epidemiologët: S’ka vend për panik sa i përket meningjitit
Në Klinikën Infektive në QKUK, nga muaji korrik e deri më tani, janë trajtuar 63 pacientë me meningjit.
Kështu ka bërë të ditur epidemiologia Teuta Muslija nga Instituti i Shëndetit Publik. Për dallim nga viti paraprak të së njëjtës periudhë, numri i rasteve ka qenë vetëm 20 të prekur me meningjit.
Situata nuk është alarmante dhe se nuk ka vend për panik, thotë ajo.
"Prej 1 Korrikut deri sot, janë raportuar gjithsej 63 raste me sindromën meningjiale, 42 raste gjatë muajit gjatë muajit Korrik dhe 21 raste gjatë muajit Gusht. Momentalisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 8 raste me meningjit 2 raste me meningjit viral dhe rastet tjera me meningjit bakterial", tha Teuta Muslija, epidemiologe.
Muslija tha se të prekurit me meningjit janë të të gjitha grupmoshave.
Infektologu, Hamdi Ramdani, thotë se me rritjen e temperaturave në stinën e verës janë të pritshme edhe rritja e rasteve me meningjit. Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale e si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat.
"Me qenë se lëvizja e fëmijëve, e qytetarëve është me e madhe në pishina, atëherë edhe mundësia e tyre enteroviroze të shfaqen në ambiente ku jetojnë është e madhe. Mundësia që incidenca e paraqitjes së meningjitit është edhe e pritshme”, tha Hamdi Ramdani Infektolog.
Zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në qendrën e laboratorëve testuese të këtij Instituti, thanë se gjatë këtij viti asnjë pishinë nuk ka kërkuar analiza të mostrave të ujit.
Për këtë çështje, ekipet e Inspektoratit të Agjencisë dhe Veterinës së bashku me marrësit e mostrave të Institutit, të premten kanë dalë në terren, e që në ditët në vazhdim pritet të dalin rezultatet e tyre.
Rekomandimet e Institutit janë që qytetarët të kenë kujdes të shtuar në pastrimin e produkteve ushqimore si dhe në konsumimin e ujit të pijshëm, e sidomos uji i puseve individuale i patrajtuar termikisht./rtk