Mbi 50 persona kanë kërkuar ndihmë për meningjit, këto janë simptomat e sëmundjes
Mbi 50 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK, pasi janë prekur me virusin meningjit. Infektologu Shemsedin Dreshaj tha se kryesisht trajtimi për këtë virus është efektiv dhe se janë të rralla rastet ku ka ndërlikim të sëmundjes. Simptomat kryesore paralajmëruese të sëmundjes janë temperatura, kokëdhimbja dhe të vjellat.
Alarmi për rritje të numrit të personave të prekur me meningjit në Kosovë është dhënë. E ky infeksion po konsiderohet i rrezikshëm nëse nuk merr trajtimin e duhur.
Infektologu Shemsedin Dreshaj ka thënë për Express, se pacientët që kanë kokëdhimje, temperaturë dhe të vjella duhet që të paraqiten menjëherë të mjeku.
Kjo pasi sipas tij rreth 50 pacientë kanë kërkuar ndihmë deri tani pasi janë prekur nga ky virus.
“Çdo pacientë i cili ka temperaturë, kokëdhembje dhe të vjella duhet që të kërkojë ndihmën e mjekut. Deri më tash diku numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë në QKUK sillet diku mbi 50 pacientë me këto simptome”, ka thënë ai.
E për të mos u përhapur më shumë, Dreshaj tha se janë disa masa që duhet të respektohen.
“Realisht masë parandaluese duhet të respektohen, pra higjiena e duarve, higjienë e pishinave për shkak se kjo sëmundje përhapet në rrues direkte dhe indirekte”, deklaroi tutje ai.
Dreshaj tha se moshat e reja janë ato që kryesisht preken më shumë nga ky infeksion.
“Ky infeksion kryesisht i prek moshat e reja, ndërsa trajtimi kryesisht është efikas dhe shumë rrallë mund të ketë ndërlikime”, tha ai.
Por çfarë është meningjiti që kryesisht i prek moshat e reja?
Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me agjensin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjensët.
Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.
Në apelin e Ministrisë së Shëndetësisë janë treguar edhe simptomat kryesore të këtij infeksioni.
“Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit. Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës. Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqendrimit dhe mungesë oreksi”, thuhet në apelin e MSH-së
E ky virus sipas MSH-së, trajtohet vetëm në spital.
E nga IKSHPK-ja kanë thënë se ky virus më së shpeshti shkaktohet nga një proces inflamator për shkak të infeksioneve bakteriale ose virale.
Sindroma meningjeale (grup i simptomave që tregojnë për ndezje të cipave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore) më së shpeshti shkaktohet nga një proces inflamator për shkak të infeksioneve bakteriale ose virale. Si rrugë e mundshme e infeksionit mund të jenë vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.
Sipas Shoqatës Kombëtare të Meningjitit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rreth 600 – 1.000 njerëz marrin çdo vit sëmundje meningokoke në këtë shtet.