Rastet e shtuara me meningjit, Nushi: Qytetarët të kenë kujdes me ujin e bunarëve dhe në pishina
Foto: Zëri / Ilustrim

Rastet e shtuara me meningjit, Nushi: Qytetarët të kenë kujdes me ujin e bunarëve dhe në pishina

Shëndetësi August 17, 2023 - 11:40

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) në Kosovë ditë më parë ka rekomanduar rritjen e vigjilencës sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij sikurse edhe të kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave, që duhet të jetë i përhershëm.

IKSHPK-ja në njoftimin e bërë për media tha se nga institucionet shëndetësore të gjitha niveleve kërkohet raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshuara në infeksione, si sindroma meningjeale apo të tjera.

Burbuqe Nushi- Latifi nga IKSHPK-ja, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se meningjiti në ujin e klorizuar nuk qëndron.

Sipas saj, në njoftimin e lëshuar do duhej të cekej se për cilin ujë të pijes bëhet fjalë.

“Nëse ka dal këshilla ‘që të keni kujdes në ujin e pijshëm’, 100 për qind kanë pas në mendje ujërat të cilat nuk janë të sigurt, kryesisht prej bunarëve”, shpjegoi Nushi.

Sipas saj, uji i sistemit i cili trajtohet dhe përfundimisht dezinfektohet nuk ka kurrfarë krize, pasi siç ri-potencoi Nushi “meningjiti nuk qëndron në ujin e dezinfektuar”.

“Por, në ujërat e pishinave, apo të ndenjura të cilat kanë kontakt me ndotje organike. Pse pishinat? Pasi mundet që dikush ka pas kontakt me meningjitin, e ka sjellë aty dhe kështu shkon zinxhirë i mbyllur…”, ka thënë Nushi.

Ajo tutje tha se uji i pijes që është në sistem është i monitoruar dhe i dezinfektuar.

“Sipas rezultateve sot nuk ka kurrfarë ndërrime. Uji i pijes është në monitorim, në rrugëtimin e tij normal. Monitorohet çdo ditë, trajtohet dhe dezinfektohet”, ka thënë Nushi.

Po ashtu, Nushi nga IKSHPK-ja iu bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes në ujin e pasigurt, si bunarët, sistemet e vogla të pamenaxhuara, etj.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e infeksioneve të ndryshme, bazuar në raportin e IKSHPK-së, kërkon rritjen e vigjilencës sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij, kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave.

Në njoftimin për media të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se bazuar në raportin e SHSKUK-së, numri i rasteve të raportuara për Sindromën meningjeale gjatë muajit korrik-gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka shënuar rritje.