Kontracepcioni dhe planifikimi familjar

Kontracepcioni dhe planifikimi familjar

Shëndetësi August 04, 2023 - 10:35
Shkruan: Dr. Aulona Lulaj-Salihu, specialiste e Gjinekologjisë me Obstetrikë

Qysh në kohët e lashta kanë ekzistuar forma për t’u mbrojtur nga shtatzënia e padëshirueshme, këto metoda ndër shekuj, dekada dhe vite janë perfeksionuar dhe i janë adaptuar pothuajse çdo individi dhe gjendjes së tij.

Në ditët e sotme ekzistojnë forma mjaft efikase që u mundësojnë partnerëve të zgjedhin se kur dhe sa fëmijë dëshirojnë të kenë ose a dëshirojnë fare fëmijë.

Familja është prioritet për secilin njeri dhe për ketë edhe krijimi ose ndërtimi i saj bëhet duke e planifikuar në detaje, duke synuar një ideal të vetëvendosur.

Pearl-Index, sigurisht e keni dëgjuar, tregon besueshmërinë e metodës kontraceptive. Ai tregon gjasën e shtatzënisë me atë metodë te 100 gra për një vit, qe i bie 1200 përdorime të asaj forme të kontracepsionit, d.m.th. sa më i ulët të jetë Pearl –Index-I, aq më efikase është forma e kontracepsionit.

Në vazhdim do të flasim për metodat kontraceptive

Koitus interuptus është forma më e lashtë dhe më primitive e kontracepsionit, e cila nënkupton ndërprerjen e aktit seksual pak para ejakulimit të mashkullit.

Metoda Billings-it, kjo formë funksionon duke vlerësuar sekretin vaginal, i cili ndryshon gjatë fazës fertile dhe asaj jofertile nën veprimin e hormoneve përkatëse gjatë një cikli menstrual.

Metoda sipas Knaus-Oginos, e cila funksionon duke llogaritur ditët fertile të një cikli menstrual, pasi e kemi përcjellë ciklin menstrual për 12 muaj sipas veçorive të tij.

Metoda e temperaturës trupore bëhet sipas asaj që bëhet përcaktimi i kohës së ovulacionit duke e mbajtur temperaturë trupore çdo mëngjes. E dimë që gjatë ovulacionit dhe në pjesën e dytë të ciklit menstrual, i cili dominohet nga Progesteroni, temperaturë trupore shënon një rritje prej 0.2 °C -0.6°C dhe bie në norme në fund të ciklit menstrual me paraqitje të menstruacionit.

Këto ishin metoda alternative, tash do të flasim për metodat mekanike të kontracepsionit në kuadër të të cilëve hyjnë: Diafragma femërore, Pessari intrauterine (Spiralje në popull), Kapaku i Cervixit, Sfungjeri vaginal, Substancat spermicide, Kondomi dhe Femidomi dhe si forme e pakthyeshme njihet sterilizimi.

Këtu më tepër ia vlen pak te ndalemi te:

Pessari Intrauterin (spiralja) kemi dy lloje; 1. Atë nga bakri, i cili ka veprim mekanik dhe multifactorial, sepse ka veprim lokal spermicide, veprim toksik në qelizën vezë, si dhe vështirëson ose pamundëson implantimin e shtatzënisë (kur përdoret si kontracepsion emergjent).

2. Pessari intrauterine, me veprim hormonal (përmban Levonogestrel që është Progesteron), ka veprim lokal hormonal në endometër të mitrës, ndryshon trashësinë e sekretit vaginal si pasojë e veprimit hormonal.

Para se të vendoset njëra nga këto duhet mënjanuar se pari infeksioni nëse është prezent, pra të merret strishoja vaginale / Cervikale dhe të behet Pap-Testi.

Dhe kemi edhe një grup tjetër të kontraceptiveve që janë ato hormonale, në kuadër të të cilave hyjnë: Frenusit e ovulacionit, Mini-pilula, Depo-grstagenet ose depo-preparatet dhe kontraceptivët emergjentë, ose kontraceptivët postkoitalë.

Kontraceptivet siç janë frenuesit e ovulacionit, Pessari intrauterine, Kondomi dhe kontraceptivët emergjentë, janë format që përdoren më së shpeshti si mënyrë e kontracepsionit.

Pra kemi një numër të madh të mënyrave të mbrohemi nga një shtatzëni e padëshiruar ose e paplanifikuar mirë.

Varësisht nga mosha, sëmundjet shoqëruese dhe gjendja e përgjithshme e pacientit, bëhet përzgjedhja e formës së kontracepsionit.

Rekomandoj të bëhet vizitë dhe këshillim te gjinekologu para se të vendoset për mënyrën e kontracepsionit.

Image
Dr. Aulona Lulaj-Salihu, specialiste e Gjinekologjisë me Obstetrikë