Cikli menstrual dhe çka duhet të dinë gratë rreth tij

Cikli menstrual dhe çka duhet të dinë gratë rreth tij

Shëndetësi July 21, 2023 - 10:17
Shkruan: Dr. Aulona Lulaj-Salihu, specialiste e Gjinekologjisë me Obstetrikë

Cikli menstrual nënkupton një mori dukurish që ndodhin në organizmin e femrës, në formë ciklike, si pasojë e aktivitetit hormonal dhe përgjigjes së organeve në ata stimuj, kjo ndodh në fazën riprodhuese të saj.

Menstruacioni është gjakderdhja mujore që ndodh te një femër e moshës riprodhuese dhe njihet si gjakderdhje funksionale, sepse shfaqet si pasojë e funksionimit të hormoneve dhe dita e parë e gjakderdhjes paraqet fillimin e një cikli të ri menstrual.

Gjakderdhja e parë te vajzat e reja quhet Menarcha dhe cikli i fundit te gratë në moshë - Menopauza.

Gjatë një cikli menstrual ndodhin ndryshime në endometrin e mitrës, bëhet pjekja dhe lirimi i qelizës vezë, si dhe shkaktohen shumë ndryshime në organizëm në tërësi.

Fillimi i një cikli është dita e parë e menstruacionit, ndërsa fundi është dita e fundit para gjakderdhjes së ardhshme.

Duhet të dimë që gjatë një cikli të tillë lirohen hormone të ndryshme, që kanë veprim dhe efekt të ndryshëm në organizmin e femrës.

Pas maturimit seksual të një femre fillojnë nga hipotalamusi, hipofiza dhe ovaret të tajohen hormone të ndryshe, që luajnë rol të rëndësishëm në trupin e saj.

Këto hormone japin shenjat sekondare seksuale, mundësojnë frytnimin, gjegjësisht përgatisin për koncepcion, e ruajnë shëndetin e një femre indirekt me tajimin e tyre dhe si parametër i mbarëvajtjes së sistemit hormonal në këtë aspekt është cikli menstrual.

Estrogjeni është dominant në pjesën e parë të këtij cikli, që quhet faza Folikulare, pastaj vjen mesi i ciklit i cili karakterizohet me ovulacion ose lirim të qelizës vezë, ndërsa si pasojë e ovulacionit dhe krijimit të trupthit të verdhë progesteroni merr dominancën në gjysmën e dytë të ciklit, që quhet Faza Luteale. Me shpenzimin e trupthit të verdhë dhe ndalimit të tajimit të hormoneve vjen gjakderdhja mujore, ose lirimi i shtresës funksionale të Endometriumit.

Një cikël menstrual mund të zgjasë 25-35 ditë, nuk duhet të gjakderdhim më tepër se 7 ditë e jo me pak se 4 ditë dhe nuk duhet të mbushen më tepër 5 peceta higjienike e jo me pak se 2 në ditë, dalja e gjakut dhe përbërësve të tjerë nga brendia e mitrës sillet prej 65 ml deri 200 ml, gjaku menstrual nuk duhet të përmbajë koagula dhe nuk duhet të kundërmojë, ky ishte përkufizimi i karakteristikave të përgjithshme të një cikli menstrual.

Çka ka ndikim në cikël menstrual dhe pse?

Nuk duhet të shqetësohemi nëse ndonjëherë një muaj kemi cikël më të zgjatur ose më të shkurtër, duhet të përcillet si dukuri dhe të mbahet evidencë mbi karakteristikat, në mënyrë që sa më parë të vërejmë në qoftë se është ndonjë çrregullim që kërkon trajtim.

Në ciklin menstrual përfshihen hormone të ndryshme, organet gjenitale femërore dhe sistemi nervor. Prandaj, faktorë të ndryshëm mund të ndikojnë në ciklin menstrual.

Nivelet e hormoneve: Nivelet e çekuilibruara të hormoneve mund të çojnë lehtësisht në një cikël të çrregullt.

Pesha trupore: Çlirimi i hormoneve dhe menstruacionet shpesh ndalojnë te gratë që janë nën peshë. Të qenët shumë mbi peshë mund të çojë gjithashtu në cikle të çrregullta.

Stresi: Stresi mendor dhe fizik gjithashtu mund të kenë një efekt negativ në ciklin menstrual, pasi mund të çojnë në ndërprerje të ekuilibrit hormonal.

Sporti: Aktiviteti fizik i rregullt ndikon pozitivisht në ditët e menstruacioneve. Megjithatë, ushtrimet e tepërta ose sforcimet e tepërta mund të ndikojnë në ekuilibrin hormonal aq shumë sa të mos ketë gjakderdhje.

Po ashtu, përveç komponentit hormonal, është edhe pjesa e sëmundjeve johormonale që shkaktojnë ndryshim në gjakderdhje, në të cilat bëjnë pjesë: Myomat, sëmundjet malinje, ademomiozat, polipet, koagulopatitet etj., të cilat mund të na japin ndryshime në cikël menstrual, si dhe mund të japin gjakderdhje interciklike.

Çfarë problemesh menstruale mund të shfaqen?

Gjitha femrat i përjetojnë menstruacionet ndryshe, disa janë plotësisht pa simptoma, ndërsa të tjerat përjetojnë dhimbje dhe janë të kufizuara në jetën e përditshme.

Simptomat tipike që mund të shfaqen janë:

Dhimbje barku, ngërçe në bark, lodhje dhe pagjumësi, dhimbje shpine, diarre, mundim, djersitje, dhimbje kyçesh etj.

Sindroma premenstruale (PMS):

Për shumë femra, periudha e afrimit të gjakderdhjes menstruale është paralajmëruar me dhimbje koke dhe dhimbje barku. Simptomat e shkaktuara nga PMS-ja ndryshojnë nga gruaja në grua. Disa janë veçanërisht të shqetësuara nga simptomat fizike si lodhja, ngërçet dhe dhimbja, të tjerët janë më të prekura nga ankesat psikologjike si nervoza, ankthi, vështirësia në përqendrim ose ndryshimet e humorit.

Shkaqet e sindromës premenstruale ende nuk janë sqaruar qartë. Shumë ekspertë flasin për një mosfunksionim psikoendokrin dhe dyshojnë se ndryshimi ciklik i hormoneve seksuale ndikon në hormonet e tjera dhe neurotransmetuesit.

Te sindroma premenstruale ndikon pozitivisht aktiviteti fizik, vitamina D, si dhe ushqimi i shëndetshëm dhe i rregullt.

Duke mbajtur evidencën mbi karakteristikat e ciklit menstrual individualisht çdo femër është më lehtë të detektojmë një çrregullim, po ashtu edhe mjeku juaj do të këtë një pasqyrë më të qartë.

Image
Dr. Aulona Lulaj-Salihu, specialiste e Gjinekologjisë me Obstetrikë