Infeksionet vaginale

Infeksionet vaginale

Shëndetësi July 14, 2023 - 10:24
Shkruan: Dr. Aulona Lulaj-Salihu, specialiste e Gjinekologjisë me Obstetrikë

Çdo femër në jetën e saj tejkalon së paku një herë një infeksion të traktit gjenital.

Mund të jenë të bezdisshme për nga natyra e shenjave klinike të tyre, si dhe mund të shkaktojnë dëmtime të mëdha, nganjëherë edhe të pakthyeshme.

Në kuadër të shenjave klinike që e shtyjnë pacienten të kërkojë ndihme mjekësore nga gjinekologu janë: kruarje, djegësim, sekret i shtuar vaginal, ënjtje e organeve gjinore, parehati, kundërmim etj.

Infeksionet më të thjeshta shpeshherë japin shenja klinike më të mëdha, siç janë mbipopullimi i florës normale me Candida, ose siç i njohim në popull edhe kërpudha ose myku, ose thjesht çrregullimi i florës normale, që në disa raste i shkaktojmë edhe vetë, duke na rënë imuniteti, duke përdorur shampon dhe sapun të ndryshëm për larje intime, nga veshja e të brendshmeve sintetike, përdorimi i shpeshtë dhe i gjatë i pecetave ditore, higjiena jo e mjaftueshme dhe adherimi i baktereve nga zorra e trashe etj., të gjitha këto janë gjëra për të cilat mund të kemi më tepër kujdes dhe të ulim gjasën për paraqitjen e infeksioneve të tilla dhe çrregullimin e florës normale vaginale.

Vagina ka florën e vet normale të mikroorganizmave me të cilën ruan stabilitetin dhe mirëqenien e saj, po ashtu ruan pH stabile, që duhet të jetë rreth 4,5 në rast se çrregullohen këto kushte paraqitet mundësia e infeksionit, po ashtu edhe me ardhjen e mikrooganizmave të tjera, qoftë nga vetë trupi i femrës (p.sh. zorra e trashë) ose te marrja nga jashtë (p.sh. marrëdhënia seksuale) shfaqen infeksionet.

Për t’i përmendur disa nga ato që të kemi një ide lidhur me këtë formë të infeksionit:

Vaginozat bakterore – Gardnerela është mbipopullim i florës normale vaginale dhe shoqërohet me shenja klinike të infeksionit vaginal, siç është kruarje, sekret i shtuar, por ka karakteristikë kundërmimin nga vagina si erë peshku. Trajtohet dhe shërohet lehtë dhe nuk duhet trajtuar të dy partnerët, ngase nuk njihet si seksualisht transmisive.

Mikozat vaginale është një lloj i vaginit ose infeksionit të vaginës që shkaktohet në të shumtën e rasteve nga Candida Albicans, është ndër infeksionet më të shpeshta të cilat i ndodhin një femre dhe ka të gjitha shenjat e infeksionit vaginal të lartcekura, veçse sekreti është më i trashë dhe i bardhë, në dukje si kosi.

Më të prekura janë gratë me imunitet të dobët, gratë shtatzëna, përdorimi i antibiotikëve, diabetiket etj.

Në të shumtën e rasteve trajtohet lehtë me aplikim lokal të medikamentit, mirëpo në disa raste tek infeksionet rekurente ose të përsëritura mund të paraqitet nevoja për trajtim sistemik dhe më afatgjatë.

Infeksionet më dëmtuese dhe më serioze mund të kalojnë me shenja fare të lehta ose pa u hetuar fare, siç është për shembull infeksioni me Clamidia.

Clamidia ndër të tjera hyn në kuadër të sëmundjeve seksualisht transmisive, për të cilat do të kemi një term të veçantë, me këtë infeksion mund të dëmtohen tubat e mitrës dhe të pamundësohet shtatzënia, trajtimi është i thjeshtë medikamentoz dhe duhet të trajtohen të dy partnerët.

HPV - Human Papilloma Virusi, të cilat mund të jenë prekusor të sëmundjeve malinje të qafës së mitrës etj.

Bartholiniti është infeksion i gjëndrës së Bartholinit, që gjendet në hyrje të vaginës në të dy anët, ato mund të bllokohen dhe të infektohen dhe po ashtu të mbledhin qelb. Shkaktarët mund të jenë mikroorganizmat e ndryshëm, ndër ta edhe ato seksualisht transmisive. Është gjendje që sjell mjaft dhembje dhe ënjtje të atij regjioni. Varësisht nga gjendja e infeksionit mund të trajtohet në mënyrë medikamentoze ose kirurgjike.

Bëj thirrje dhe apeloj të bëhen vizita të rregullta te gjinekologu dhe të detektohet sa më parë infeksioni i traktit gjenital.

Image
Dr. Aulona Lulaj-Salihu, specialiste e Gjinekologjisë me Obstetrikë