Javë me temperatura të larta, rritet numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në QKMF
Foto: Laura Hasani

Javë me temperatura të larta, rritet numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në QKMF

Shëndetësi July 12, 2023 - 20:17

Valë e nxehtësisë pritet përfshijë vendin gjatë kësaj jave, ku temperaturat pritet të arrijnë deri në 37 gradë Celsius. Ky mot me temperatura përvëluese ka bërë që të rritet numri i pacientëve që po kërkojnë trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Në këtë institucion shëndetësor, në repartin e mjekësisë familjare, numri i pacientëve që trajtohen brenda ditës është 250-300, thotë Drita Peqani-Gashi, specialiste e mjekësisë familjare.

Në një intervistë për Telegrafin ajo tregoi se në QKMF-në në Prishtinë, numri i pacientëve që marrin shërbime mjekësore brenda muajit shkon deri në 7 mijë e 700.

“Me rritjen e temperaturave sigurisht është rritur edhe numri i pacientëve, jo sepse kemi pasur ndonjë patologji ekskluzive e cila vjen nga goditjet diellore apo diagnoza më të rënda nga temperaturat e larta, por për shkak të diagnozave apo patologjive paraprake të të sëmurëve kronikë atëherë është rritur numri i pacientëve sepse iu ka ndryshuar gjendja për shkak të temperaturës së lartë”, thotë Peqani-Gashi.

Sipas saj, grup-moshat më të rrezikuara nga rritja e temperaturave janë moshat e shtyra, ata që vuajnë nga sëmundjet kronike, diabeti, shtatzënat dhe fëmijët.

“Grup-moshat më të rrezikuara nga rritja e temperaturave janë moshat e shtyra, gjegjësisht moshat mbi 65 vjet, personat që vuajnë nga sëmundjet kronike si kardiovaskulare, gjegjësisht të zemrës, të enëve të gjakut, hipertensionit e pastaj të sëmundjeve të mushkërive me astmë e sëmundje të tjera respiratore. Pastaj ata që vuajnë nga diabeti, me sëmundje të veshkave e reumatike. Pastaj janë gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe punëtorët që punojnë me orë të gjata në ambiente të jashtme”, tregon specialistja e mjekësisë familjare.

Ajo tregon se cilat janë simptomat e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të temperaturave të larta.

“Tharje e lëkurës, marramendje, temperaturë e lartë, ndryshim i tensionit alterial, por për fat të mirë nuk kemi pasur ndonjë rast të rëndë me goditje termike pra diellore për shkak të temperaturave të larta. Nëse dikush e ndjen ndonjërën nga këto simptoma duhet që menjëherë të lajmërohet te mjeku familjar në mënyrë që të mos keqësohet gjendja shëndetësore”, shprehet tutje Peqani-Gashi.

Në fund, ajo dha edhe disa këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta, veçanërisht për personat që janë më të ndjeshëm.

“Personat të cilët janë më të ndjeshëm, pra kategoritë e personave më të rrezikuar, nga ora 11:00 deri në 17:00 të mos dalin në ambientet e jashtme, ndërsa ambientet e brendshme ku qëndrojnë duhet të jenë të ajrosura mirë dhe të ventiluara. Pastaj, nëse dalin jashtë duhet të mbrohen me kapele, syze dhe të vishen me ngjyra të hapura dhe me rroba që janë të pambukut apo lirit. Të konsumojnë të paktën dy litra ujë në ditë dhe të mos konsumojnë yndyra apo ushqime që janë më të vështira për t’u tretur. Të mos shtohet numri i kalorive, por kryesisht të ushqehen me perime dhe pemë që janë të pasura me vitamina dhe kanë sasi të mjaftueshme të ujit”, përfundon specialistja mjekësore.

Ndryshe sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, moti me këto temperatura tipike verore është si rezultat i ardhjes së masave të nxehta të ajrit nga Afrika Veriore.

“Shkalla e lartë e avullimeve do të krijojë vapë dhe ndjesia e këtyre temperaturave do të jetë më e lartë se sa vlerat e lartshënuara”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.