Puberteti te vajzat
Ne e njohim termin Pubertet dhe e dimë se është tranzicion prej gjendjes fëmijërore (jofertile) në një të individ të maturuar dhe fertil.
Kur shfaqet, cilat janë shenjat e para, kur është herët ose vonë, në çka duhet të kemi kujdes?
Këto do t’i shtjellojmë në vazhdim të këtij artikulli, duke u munduar ta mbajmë sa më praktik dhe të përdorshëm për të gjithë.
Puberteti është perioda e pjekjes seksuale. Rritja e organizmit përshpejtohet, pelviku zgjerohet. Zhvillohen vetitë seksuale sekondare, rriten qimet në nënsqetulla dhe pubike, rriten gjinjtë, rriten dhe zhvillohen organet gjinore, lajmërohet Menarcha.
Puberteti pra është kalimi i fazës së qetësisë hormonale në një gjendje aktive, e cila shoqërohet me një mori ndryshimesh psikike dhe fizike të “fëmijët” tanë, duke iu shfaqur edhe ndryshime lëkurore, aknet, ndryshimet në organet e jashtme gjinore në ngjyrë dhe lirimi i sekretit vaginal, ndryshimi i ngjyrës së mukozës vaginale, ndërron pH e vaginës, ndryshimi i personalitetit dhe ndjeshmëria e shtuar ndaj rrethit dhe plot ndryshime të tjera.
Sidomos gjatë shekullit të fundit kemi një akselerim të moshës së shfaqjes së pjekurisë ose maturimit gjinor, duke u ulur mosha e shfaqjes së shenjave të pjekurisë seksuale, në ditët e sotme si moshë mesatare e paraqitjes së shenjave të para të pubertetit të femrat merret mosha 8 deri 13-vjeçare.
Shenjat e para të pubertetit dhe kronologjia e tyre janë rritja ose fillimi i rritjes se gjinjve, që në gjuhën mjekësore quhet Telarche, pastaj e përcjellë me rritjen e qimeve adulte më të theksuara në zonën pubike dhe nën sqetull, si dhe një rritje e theksuar e gjatësisë trupore me ndryshim të konstitucionit trupor, pastaj dy vjet pas fillimit të shfaqjes së këtyre shenjave të para paraqitet edhe gjakderdhja e parë menstruale, që quhet Menarcha.
Të gjitha këto ndryshime vijnë si pasojë e aktivitetit edokrin ose fillimit të tajimit të hormoneve të caktuara, që e formojnë boshtin e veprimit Hipotalamus – Hipofize – Vezorë dhe kështu siguron mbarëvajtjen e aktivitetit gjinore të individit duke e mundësuar riprodhimin dhe benefitet e tjera, të cilat sigurohen nga këto hormone, pra vjen një moment që maturon qendra në trurin e fëmijës dhe lëshohen në funksion një mori aktivitetesh të tjera në organizëm.
Çka nëse hyjnë vajzat herët ose vonë në këtë fazë? Kur është herët e kur është vonë?
Nëse fillohet me radhën e ndryshimeve të lartcekura para moshës 8-vjeçare, atëherë flasim për pubertet të parakohshëm, ose Pubertas Preacox, në këtë rast duhet të konsultojmë mjekun specialist, i cili na tregon se a e kemi të bëjmë me ndonjë patologji që e ka aktivizuar pubertetin para kohe ose është thjesht predisponimi gjenetik po ashtu edhe a është pubertet i vërtetë apo i aktivizuar nga ndonjë agjent tjetër.
Kemi edhe rastin e kundërt kur deri në moshën 14-vjeçare akoma te vajza nuk shfaqet asnjë nga shenjat e pubertetit ose vonës e gjakderdhjes së parë menstruale më tepër se dy vjet pas shfaqjes së shenjave të tjera, atëherë e kemi të bëjmë me një pubertet të vonshëm apo Pubertas Tarda dhe prapë edhe në këtë rast duhet të hulumtohet nga mjeku specialist se ku qëndron shkaku, ose veç thjesht është një predisponim jopatologjik.
Gjakderdhjet e para menstruale në shumicën e rasteve janë akoma jo të plota nga ana funksionale dhe nuk përcillen çdoherë me ovulacion ose janë cikle pa lirim të qelizës vezë, në këtë rast të duke mos qenë cikli komplet në aspektin hormonal, shfaqen në fillim çrregullime në sasi dhe shpeshtësi të gjakderdhjes, në rastet ekstreme duhet të kërkojmë ndihmë mjekësore, një stabilitet në gjakderdhje mujore duhet të arrihet deri në 2 vjet pas shfaqjes së gjakderdhjes së parë.
Duhet të jemi mjaft të vëmendshëm dhe të bisedojmë lirshëm duke i shpjeguar vajzës lidhur me ndryshimet që janë duke ndodhur dhe do të ndodhin në trupin e saj dhe ta këshillojmë që të mbajë evidencë të ndryshimeve dhe gjakderdhjeve mujore në mënyrë që në rast të ndonjë gjendjeje jo të mirëfilltë të kemi më të lehtë ta vërejmë me kohë dhe kështu të trajtohet me kohë.
Ky është një rrugëtim që duhet të kalohet së bashku me vajzën.