Aktiviteti fizik ose sporti në shtatzëni
Sigurisht e kemi të ditur që aktiviteti fizik jo vetëm në shtatzani, por gjatë gjithë jetës është kontribuues në mirëqenien tonë. Mirëpo sidomos në një gjendje të ndjeshme siç është edhe shtatzënia duhet të kalkulohet mirë rreziku dhe benefiti, duke e përshtatur në mënyrë individuale për secilën grua.
Disa pika pro dhe kundër do t’i listojmë në vazhdim të tekstit, mirëpo duhet të nisemi nga fakti që vetëm një profesionist i fushës mund të bëjë aplikimin e tyre dhe vlerësimin e gjendjes aktuale të shtatzënës, rekomandoj që ta bisedoni në mënyrë të individualizuar me mjekun tuaj një iniciativë të tillë. Benefitet e aktivitetit fizik ose sportit janë këto: përmirëson tonusin muskular, përmirëson dhembjen e shpinës duke forcuar muskulaturën e atij regjioni, përmirëson gjendjen psikike dhe fizike .
Jo rastësisht thuhet se sporti lumturon, sepse liron hormonet e lumturisë, rritë rezervat kardiopulmonare, ulë edemat (ënjtjet në trupë , fytyrë) dhe ul grumbullimet e tjera të lëngjeve, prevenon trombozë, ndihmon te gjendjët me Diabet Gestational, rregullon shtimin e peshës trupore. Sipas studimeve më të reja , ul kohen e lindjes, dhembjet dhe ndikon në rikuperimin pas lindjes. Ndërsa rreziqet janë: lëndimet e mundshme eventuale, rritja e temperaturës trupore (me rrezik temperatura trupore më e lartë se 39 gradë), rritë frekuencën kardiake (nuk duhet të kalojë 140 rr/ min.).
Kush duhet të jetë i rezervuar ndaj aktivitetit të shtuar fizik?
Gratë që kishin lindje të parakohshme paraprake, shtatzënitë e përcjella me gjakderdhje, kërcënim për lindje para kohe, nëse fryti është me ngecje në rritje - sëmundje kronike të nënës, hipertensioni, te gj. Thyroide - Anorexia nervosa, Bulemiket, mbi ose nënpesha ekstreme
- Sëmundshmëri të zemrës, anemia, hypotension i shprehur (shtypja arteriale 90 /60 mm Hg) sëmundje të veshkave - kontraksione të parakohshme, pëlcitje e cipave para kohe, pamjaftueshmëri e placentës, shtatzani shumëfrytëshe.
Kemi mjaftë lloje të aktiviteteve sportive, ndërsa në shtatzani si ideale do t’i quajmë: notimin, Aqua Aerobicun, ecjen, pilates, biciklimin, nder aktivitetet sportive që në raste të caktuara janë akceptushme hyjnë : aerobiku, skijimi, aktiviteti mbi 2500 m nivel mbidetar, snorkeling, vrapimi.
Kurse aktivitetet sportive ekstreme siç janë sportet luftarake, vrapime të shpejta, sportet si volejboll, futboll, sportet me rrezik për rënie nga lartësia, sportet ekipore etj. nuk janë të pranueshme në shtatzani.
Duke e ditur që organizmi i nënës gjatë shtatzënisë është në funksion me kapacitet të plotë, nuk duhet të mbingarkohet, ngase në këtë formë duke munduar të furnizohen mjaftueshëm me gjak muskujt, lëkura etj., rritet frekuenca e zemrës dhe në rastet ekstreme mund të ushqehen pamjaftueshëm produktet e shtatzënisë siç janë fryti, placenta etj.
Duhet të kemi aktivitet fizik të moderuar gjatë të cilit jemi në gjendje të bëjmë bisedë, gjë që tregon se marrim frymë mjaftueshëm dhe nuk na duhen pauza në të folur për t’u ngopur me ajër, nuk duhet të kalohet temperatura trupore mbi 39 gradë, si dhe frekuenca kardiake të mos jetë më e lartë se 140 rrahje për minutë.
Të thellohemi pak më tepër tek aktivitetet ujore, që janë ndër më beneficialet në shtatzani, sepse i përshtaten më së miri gjendjes së gruas, duke e mbrojtur nga dëmtimi i nyjave, sepse uji amortizon peshën, ul edemat për shkak të shtypjes hidrostatike të ujit dhe largon lëngjet ekstravazale, që po ashtu janë më të shprehura në shtatzani, në temperaturë ideale ndihmon edhe në termo rregullim, si dhe është ambient komod për gjendjen.
Rreth mitit që gjatë qëndrimit në ujëra ose bazente mund të marrim ndonjë infeksion vaginal, themi se është vetëm mit, ngase në kushte normale nuk do të arrijnë ujëra në vaginë, por duhet mos harruar se temperatura e ujit ka rëndësi, nuk duhet të kalojë 28-30 gradë, ujërat më të ngrohta nuk preferohen.
Kur duhet të ndërpritet aktiviteti fizik?
Një ndërpritje e menjëhershme e aktivitetit fizik duhet të bëhet nëse paraqitet gjakderdhje vaginale, rrjedhja e lëngut amnail, dhembje retrosternale, kokëdhembje të përnjëhershme, marramendje, dhembje në fund të barkut ose kontraksione të mitrës. Gjitha këto rekomandime dhe sqarime duhet të përshtaten në mënyrë individuale nga rasti në rast, prapë bëj thirrje që specifikat e gjendjes suaj t’i diskutoni dhe elaboroni me mjekun tuaj.