Një në 10 persona vuajnë nga pasojat afatgjata të COVID-it nëse se janë infektuar nga varianti Omicron
Foto: Reuters

Një në 10 persona vuajnë nga pasojat afatgjata të COVID-it nëse se janë infektuar nga varianti Omicron

Shëndetësi May 26, 2023 - 22:15

Sipas një studimi të fundit, ku janë përfshirë rreth 10,000 amerikanë, rreth 10% e pacientëve duket se vuajnë pasojat e COVID-it për një kohë të gjatë pas infektimit nga varianti omicron, një vlerësim ky më i ulët se ai gjatë pandemisë.

Gjetjet e para nga studimi i Institutit Kombëtar të Shëndetit nxjerrin në pah dhjetra simptoma për pacientët që vuajnë nga i ashtuquajturi ‘COVID-i i gjatë’, një term që kategorizon dobësimin e gjendjes shëndetësore që mund të zgjasë për muaj, apo edhe për vite.

Miliona persona në mbarë botën kanë kaluar COVID-in me pasoja afatgjata, me dhjetëra simptoma të ndryshme duke përfshirë lodhjen dhe mungesën e përqendrimit dhe të kthjelltësisë mendore. Shkencëtarët ende nuk e dinë se çfarë e shkakton atë, pse godet vetëm disa njerëz, si ta trajtojnë, apo edhe si ta diagnostikojnë atë më mirë.

Përcaktimi më i mirë është thelbësor që ekipet e kërkimit t’i japin përgjigje këtyre pyetjeve.

"Ndonjëherë dëgjoj njerëz që thonë: "Oh, të gjithë janë pak të lodhur", tha doktoresha Leora Horwtz nga qendra e nohur mjekësore ‘NYU Langone Health’, një nga autoret e studimit. "Jo, ka diçka ndryshe te njerëzit që vuajnë nga COVID-i për një kohë të gjatë dhe kjo është e rëndësishme të dihet.”

Hulumtimi i ri, i botuar të enjten në Gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, përfshin më shumë se 8,600 të rritur, që kaluan COVID-19 në periudha të ndryshme të pandemisë, duke i krahasuar me 1,100 të tjerë të cilët nuk ishin infektuar.

Sipas disa vlerësimeve, afërsisht 1 në 3 pacientë me COVID-19 kanë kaluar COVID-in me pasoja afatgjata. Shifra është e ngjashme me pjesëmarrësit në studimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit, që raportuan se u sëmurën përpara se varianti omicron të fillonte të përhapej në SHBA në dhjetor 2021.

Por rreth 2,230 pacientë u infektuan për here të parë me koronavirus pas fillimit të studimit, duke i lejuar ata të raportojnë simptomat në kohë reale dhe vetëm rreth 10% përjetuan simptoma afat-gjata pas gjashtë muajsh.

Hulumtimet e mëparshme kishin sugjeruar se rreziku për të vuajtur nga COVID-i me pasoja afatgjata, ra që kur u shfaq omicroni; nënvariantet e tij vazhdojnë të përhapen.

Pyetja më e rëndësishme është se si të identifikohen dhe të ndihmohen pacientët që tashmë vuajnë nga COVID-i me pasoja afatgjata.

Studimi i ri rezultoi në një duzinë simptomash që mund të ndihmojnë në përcaktimin e kësaj forme të COVID-it si: lodhja, mungesa e përqendrimit, marrje mendsh, problemet e sistemit tretës, rrahjet e zemrës,problemet seksuale, humbja e nuhatjes ose shijes, etja, kolla kronike, dhimbja e gjoksit, përkeqësimi i simptomave pas aktivitetit fizik .

Zonja Horwitz theksoi se mjekët nuk duhet ta përdorin këtë listë simptomash për të diagnostikuar një pacient që vuan nga COVID me pasoja afatgjata, lista është vetëm një mjet i mundshëm kërkimor. Pacientët mund të kenë një nga ato simptoma, ose shumë - ose simptoma të tjera që nuk janë në listë - dhe ende vuajnë pasojat afatgjata të koronavirusit.

“Të gjithë po bëjnë studime për këtë formë COVID-i, por ne as nuk e dimë se çfarë do të thotë", tha zonja Horwitz./VOA