Onkologët thërrasin për parandalim të kancerit të lëkurës: Nishanet e bengat ruani nga dielli
Foto: Laura Hasani

Onkologët thërrasin për parandalim të kancerit të lëkurës: Nishanet e bengat ruani nga dielli

Shëndetësi May 23, 2023 - 20:39

Shoqata e Onkologëve në bashkëpunim me Klinikën e Onkologjisë, Dermatologjisë dhe me Përfaqësuesen Kosovare të Euromelanomës të martën nisën shënimin e muajit të ndërgjegjësimit për melanomën, apo kancerin e lëkurës.

Një aktivitet i hapur për qytetarët në sheshin “Zahir Pajaziti” me qëllim informimi dhe vetëdijesimi lidhur me këtë sëmundje që sipas onkologëve është mjaft agresive, u dhanë këshilla dhe ekzaminime bazike falas.

Të gjithë ata që kanë nishane dhe benga në lëkurë sipas vullnetit ju nënshtruan një kontrolle falas me dermatoskop, e cila tregon se a ka ndryshime lëkurore, apo jo.

Kryetari i Shoqatës së Onkologëve, Arben Bisilmi tha se melanoma është kancer i lëkurës që shfaqet në ndryshimet në nishanet dhe bengat, teksa theksoi se beteja më e madhe e tyre është vonesa në diagnostikë dhe si e tillë kjo sëmundje e cila zbulohet në stade të avancuara ka edhe mbijetesë të vogël.

Për më tepër ky ndërgjegjësim jorastësisht mbahet në maj, ngase nis sezona e nxehtë dhe fillon ekspozimi ndaj rrezeve të diellit. Ndaj onkologu Bislimi theksoi se parandalimi është i domosdoshëm, sidomos në zonat ku njerëzit kanë nishane dhe benga.

Vetëm përgjatë tremujorit të parë në këtë vit Onkologjia ka diagnostfikuar 11-13 raste të reja me melanomë. /klankosova