Nëse jeni nën 45 vjeç dhe keni këto simptoma, mund të jeni në menopauzë të hershme
Menopauza nënkupton menstruacionet e fundit në jetën e një gruaje dhe është pjesë përbërëse e procesit natyror të plakjes. Ajo ndodh kur vezoret e një gruaje ndalojnë së prodhuari vezë, duke shkaktuar një ndërprerje të përhershme të ciklit menstrual, transmeton Huffpost.
“Për shumicën e grave, menopauza zakonisht ndodh nga mosha 52 vjeç e tutje,” shpjegon Stephanie Faubion, drejtoreshë e Qendrës Mayo Clinic për Shëndetin e Grave dhe drejtoreshë mjekësore e Shoqatës së Menopauzës së Amerikës së Veriut. Në përgjithësi, mosha normale për menopauzën është 45 vjeç e lart, përcjell Index.hr, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, në raste të caktuara, menopauza fillon në një moshë pak më të re, dhe kjo ndonjëherë mund të jetë problem. Sipas Faubion, nga pesë deri në shtatë përqind e grave përjetojnë menopauzë të hershme, ndërsa vetëm dy përqind e tyre përjetojnë të ashtuquajturën menopauzë të parakohshme në një fazë edhe më të hershme të jetës.
Cilat janë simptomat e menopauzës së hershme?
Siç shpjegojnë mjekët, ka disa simptoma që mund të tregojnë menopauzë të hershme dhe nuk janë shumë të ndryshme nga shenjat klasike. Megjithatë, ndryshimi është se ato ndodhin para moshës 45 vjeçare.
“Shenjat e menopauzës së hershme janë në fakt shumë të ngjashme me ato të menopauzës natyrale, duke përfshirë afshet e të nxehtit, djersitjet gjatë natës, thatësinë vaginale, ndryshimet e humorit dhe problemet e gjumit”, thekson Thomas Enyart, gjinekolog në Orlando Health Physician Associates në Florida.
Ai gjithashtu shton se gratë me menopauzë të hershme shpesh mund të zhvillojnë stres emocional, ankth ose depresion, simptoma që shumica e grave i injorojnë ose rrallë i lidhin me fillimin e menopauzës.