Problemet me shëndetin mendor nuk po konsiderohen më tabu nga rinia
Rinia e Kosovës është vetëdijesuar për sa i përket shëndetit mendor. Prej pandemisë e tutje ata kanë kërkuar ndihmë psikologjike pa hezitim. Kështu thonë përfaqësues të organizatave psikosociale në vend. E zonat ku shoqëria nuk është e informuar për rëndësinë e shëndetit mendor mbesin problem. Po ashtu pjesë e stigmës janë edhe institucionet që sipas organizatave e shohin të parëndësishëm shëndetin mendor dhe si rrjedhojë nuk investojnë në këtë drejtim.
Maji është muaj i ndërgjegjësimit për shëndetin mendor në botë e tash e sa vite po shënohet edhe në Kosovë. Jehona Ruhani nga Organizata “Fearless Mind Kosova” në një bisedë për Radio Kosovën tha se rinia nuk po e konsideron tabu shëndetin mendor. Ajo tha se ata po kërkojnë këshilla te psikologët.
“Unë mendoj se gjeneratat e reja kanë filluar të ndryshojnë, ata nuk po hezitojnë të kërkojnë ndihmë psikologjike”, tha ai.
Por problem mbeten personat që nuk janë të informuar. Veronë Përçuku nga organizata për Hulumtime Psikosociale dhe Mjekësore, tha se përveç zonave rurale ende ka nivele të larta të stigmës për shëndetin mendor edhe nëpër institucione.
“Edhe të vetë profesionistët është stigma tejet e lartë. Jo vetëm në popullatën e gjerë por edhe të ata që supozohet me pas informata dhe rrjedhimisht i kemi edhe institucionet politikëbërëse, ku sa më shumë që po kemi kontakt me ta aq më shumë po e vërejmë që edhe te ata është stigma tejet prezente në këtë fushë, e për këtë ka edhe mungesë të fondeve ne këtë drejtim”, tha Përçuku.
Ajo tha se me realizimin e një ankete ka dalë se ka rritje të çrregullimit mendor.
“Ne kemi realizuar një anketë që do të publikohet shumë shpejt e që po del të jetë se kemi rritje të çrregullimeve të shëndetit mendor, kemi nivele të larta të ankthit, depresionit edhe kemi nivele të larta të njerëzve që po duan të marrin ndihmë. Këtu flas për një grup të shoqërisë që janë më të ekspozuar ndaj informatave”, shtoi ajo.
Në kohën e pandemisë janë rritur nivelet e frikës, ankthit dhe nivele të vetmisë si dhe çrregullime të depresionit dhe çrregullime të tjera, tha Përçuku.
Ajo tha se gjendja ekonomike po ndikon të rëndesat mendore të njerëzit. Pra janë faktorët e jashtëm dhe mjedisi i pashëndetshëm psikosocial që e çojnë individin në çrregullime të shëndetit mendor. Përçuku tregoi disa qendra që ofrojnë psikoterapi falas siç është “Diakonia”, “Linja e Jetës”e disa të tjera të cilat mund të gjenden në faqen e revistës “Psika”./rtk