Zvogëlohet lista e pritjes për operacione në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare

Zvogëlohet lista e pritjes për operacione në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare

Shëndetësi March 06, 2023 - 15:00

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se Klinika e Kirurgjisë Vaskulare ka rritur vëllimin e punës dhe ka arritur të zvogëlojë listën e pritjes për operacione.

“Në këtë Klinikë është funksionalizuar Aparati me Radiofrekuencë- Ablacion, i cili mundëson që me metoda bashkëkohore të kryhen operacionet e venave varikoze, me anestezion lokal, pa pasur nevojë për praninë e anesteziologut gjatë intervenimit”, thuhet në njoftim.

Nga raporti i punës së kësaj klinike figuron se gjatë viti 2022 janë kryer 1 mijë e 202 operacione, prej tyre 316 operacione të venave varikoze.

Në dy muajt e parë të këtij viti janë kryer gjithsej 201 operacione, 64 prej tyre të venave varikoze.

“E gjithë kjo punë është kryer në bashkëpunim edhe me Klinikën e Anesteziologjisë, që në vazhdimësi u është përgjigjur kërkesave të kësaj klinike”, thuhet më tej në njoftim.