MSH-ja rekomandon të vlohet uji i pijshëm para përdorimit

MSH-ja rekomandon të vlohet uji i pijshëm para përdorimit

Shëndetësi January 20, 2023 - 15:39

Ministria e Shëndetësisë ka dal me rekomandim që uji para përdorimit të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në burime.

Në komunikaten e MSH-së, thuhet se ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publik kanë ngritur vigjilencën për monitorimin e ujit të pijes. Janë regjistruar vlera të shtuara të turbullirës në disa burime dhe si pasojë ka vështirësi në trajtim të ujit në zonat:

KRU "Prishtina"- Rajoni Prishtinë: Fabrika në Shkabaj dhe Fabrika në Drenas.

Turbullira e shtuar në Kanalin “Ibër Lepenc” e ka vështirësuar procesin e trajtimit të ujit në Fabrikën në Shkabaj dhe atë në Drenas. Këto dy fabrika aktualisht janë jashtë funksionit për shkak të pamundësisë të proceseve teknologjike të përpunimit të ujit. Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar kufizime në gjitha zonat e shërbimit të KRU-Prishtina.

Ndërsa të gjitha mostrat e testuara në laboratoret e IKSHPK nga pjesët e tjera që po furnizohen me ujë të pijes janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human.

KRU "Mitrovica"- Rajoni Mitrovicë: fabrika në Shipolit- Mitrovicë dhe fabrika në Balice- Vushtrrisë.

Nga dje datë 19.01.2023 FPU Balicë/Vushtri dhe FPU në Shipol/Mitrovicë kanë ndërprerë furnizimin në Mitrovicë dhe Skenderaj për shkak të rritjes së turbullirës në ujin e papërpunuar.

Pritet që në orët e pasdites të rifillojë trajtimi i ujit por me kapacitet të zvogëluar.

Në mostrat e grumbulluara deri dje, analiza laboratorike fiziko-kimike rezultojnë me vlerë të ngritur të turbullirës që i tejkalon vlerat standarde të lejuara. Rezultatet preliminare të mostrave bakteriologjike të ditës së djeshme janë në rimbjellë dhe rezultatet përfundimtare do të publikohen nesër, 21 janar.

KRU “Hidrodrini”- Rajoni i Pejës: Burimi “Drini i Bardhë –Radavc” dhe Burimi “Shkozë-Junik”.

Turbullira vazhdon të jetë prezentë në Burimin “Drini i Bardhë-Radavc” dhe Burimin “Shkozë-Junik”.

Ndërsa për shkak të vërshimeve dhe prurjeve në burime, është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi “Jarinë-Klinë” dhe tani furnizimi bëhet vetëm nga Fabrika e ujit në Klinë. Gjithashtu është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi i ujit drenazhet sistemi “CDF-Deçan”.

Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e QRSHP-Pejë janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human.

KRU "Gjakovë"- Rajoni i Gjakovës: burimi në Demjan dhe Gërqinë.

Në zonat e furnizimit nga KRU “Gjakova” gjendja e cilësisë së ujit të pijes është brenda rregullave. Të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm.

Në zonat e furnizimit nga burimet në Demjan dhe Gërqinë uji nuk është për pije për shkak të vlerave të shtuara të turbullirës.

KRU "Bifurkacioni"- Rajoni Ferizaj: fabrika në Pleshinë dhe sistemi në Kaçanik

Të gjitha mostrat e ujit që janë marrë dje dhe sot ( 19 dhe 20 janar 2023), në Ferizaj dhe Kaçanik janë

brenda standardeve për ujin e pijes.

Uji në rrjetet shpërndarëse nga sisteme me vlera të shtuara të turbullirës nuk është brenda standardit të lejuar dhe nuk rekomandohet të pihet.