IKSHPK-ja bën thirrje për vaksinim dhe bartje të maskës në ambiente të mbyllura
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë apel te qytetarët që të bartin maska në ambiente të mbyllura dhe të vaksinohen.
Në njoftim thuhet se në fillim të vitit ka rritje të rasteve të reja, mirëpo nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë!
Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe vaksinohuni!
Ju lutemi për kujdes të shtuar ndaj COVID-19!
Në vende të ndryshme të botës po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia akoma nuk ka mbaruar.
Fillimviti ka shënuar rritje të rasteve të reja me COVID, por fatmirësisht nuk kemi të regjistruar asnjë rast fatal.
IKSHPK-ja është duke vazhduar pa ndërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.
Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen të vaksinohen.
MSH-ja dhe IKSHPK-ja rekomandojnë qytetarët që rritja e rasteve me COVID-19 kërkon edhe masa parandaluese, andaj duhet të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse, duke zbatuar vendimet e Qeverisë, duke bartur maska në të gjitha ambientet e mbyllura, distancë, higjienë, dezinfektues për duar në të gjitha institucionet publike e private dhe të vaksinohen kundër COVID-19.