Pandemia ka ndikuar te miopia e adoleshentëve, në 2050 do të jenë shumicë në botë

Pandemia ka ndikuar te miopia e adoleshentëve, në 2050 do të jenë shumicë në botë

Shëndetësi December 26, 2022 - 20:11

Miopia, pra vështirësia për të parë nga larg, është një nga problemet shëndetësor e më të përhapura në botë, veçanërisht në dekadat e fundit. Edhe pse faktori gjenetik është shumë i rëndësishëm në përcaktimin e personave miopë, mund të thuhet se ky defekt është përhapur në mënyrë pothuajse paralele me zhvillimin teknologjik të njeriut.

Orë të tëra përballë celulareve dhe monitorëve të ndryshëm, shpesh herë me një distancë të pamjaftueshme, e kanë shndërruar pothuajse në një mungesë të zakonshme. Sipas statistikave amerikane, në vitet ’70 miopët në SHBA nuk kalonin 25% të popullsisë, ndërkohë që vetëm pak dekada me vonë kjo shifër ka shkuar në 42%.

Sipas një studimi të Universitetit Emory në Atlanta, tre vitet ku po përjetojmë efektet e pandemisë së COVID-19 kanë qenë një tjetër përshpejtues të miopisë, veçanërisht tek adoleshentët.

Detyrimi për t’u mbyllur në banesa për një periudhë të gjatë ka rritur ndjeshëm konsumin e mjeteve digjitale, duke ndikuar sipas përllogaritjeve në një variacion – 0.3 të dioptrisë tek të rinjtë.

Syri i njeriut është programuar për të parë nga larg, një horizont që lejon një fokus më të lehtë, sesa kur kemi të bëjmë me objekte afër syrit, diçka që shkakton lodhje.

Jo kudo në planet ndikimi do të jetë i njëjtë, edhe duke u bazuar te trashëgimia gjenetike. Parashikimet tregojnë për një popullsi europiane që në vitin 2050 do të jetë miope në rreth 30% të popullsisë së saj, por në SHBA do jenë 40% kurse në vendet aziatike si Kina, Koreja e Jugut, Singapori, kjo shifër shkon në një 80% të frikshëm. Në rang botëror, miopët do të jenë shumicë pikërisht brenda asaj date.

Ndoshta një ngushëllim për ta vjen nga studime të tjera, të filluara qysh nga vitet ’50-të që tregojnë, edhe pse ende jo në mënyrë të mirëpërcaktuar, se miopia shpesh herë shoqërohet më një kuocient inteligjence më të lartë se mesatarja. /A2 CNN