Vlerat shëndetësore të lëkurës së limonit
Limoni mund të jetë i thartë, por mbetet një ndër agrumet më të dashura dhe të shëndetshme.
Shumë njerëz e kanë traditë pirjen e ujit me limon në mëngjes, në përpjekje për të përmirësuar sistemin tretës.
Zakonisht limoni shtrydhet dhe më pas hidhet në kosh.Por lëkura e tij është një thesar vlerash. Përdorimet e lëkurës së limonit janë të jashtëzakonshme.
Lëkura e limonit përmban shumë vitamina, minerale dhe fibër. Kjo vlen vetëm për limonët organikë dhe jo ato të spërkatur me pesticide.
Lëkura e limonit në kuzhinë
Lëkurën e limonit mund ta grini dhe ta përdorni në ëmbëlsira apo gatime të kripura.
Me të dhe piperin e zi mund të krijoni një miks erëzash për sallata dhe supa.
Lëkurën e limonit mund ta ëmbëlsoni me sheqer dhe ta hani si ëmbëlsirë.
Lëkurën e limonit mund ta përzieni me vaj ulliri për një shije më sublime ose mund ta përdorni për të bërë një ekstrakt limoni tepër të dobishëm përtej kuzhinës.
Grimcat e lëkurës mund t’i hidhni në kubikët e tabakasë së akullit dhe t’i përdorni më pas në kokteile të ndryshme.
Një tjetër recetë e rekomanduar është që të përzieni gjalpin e freskët me barishte nga më të ndryshmet, erëza dhe lëkurë limoni. Shija do të jetë e paharrueshme.
Lëkurën e limonit mund ta fusni brenda qeses së sheqerit kaf dhe do të garantoni jetëgjatësinë e tij.
Lëkura e limonit për pastrim
Përzieni lëkurat e limonit me uthull të bardhë në një kavanoz qelqi. Pas dy javësh kullojeni lëngun dhe kombinojeni me ujë për të pastruar të gjitha sipërfaqet e shtëpisë dhe dezinfektuar ato.
Lëkurat e limonit mund t’i vendosni në prag të derës, parmak të dritares apo në vrima dhe të çarat e murit ku mund të hyjnë insektet dhe milingonat.
Lëkurën e limonit vendoseni në frigorifer për të përthithur aromat e pakëndshme dhe për t’i dhënë kësaj hapësire erën e freskisë.
E njëjta gjë vlen edhe për koshin e plehrave.
Lëkurat e limonit por edhe të agrumeve të tjera mund t’i zieni bashkë me kanellën dhe shtëpia juaj do të mbajë një aromë të mrekullueshme.
Limoni është antibakterial ndaj pasi të keni pastruar zonën e kuzhinës mund të përdorni limonin për një prekje pastërtie përfundimtare.
Lëkurën e limonit mund ta fusni në pjatalarëse për aromë të mirë ose për të pastruar mikrovalën.
Fusni në mikrovalë një enë të mbushur me ujë dhe lëkura limoni. Pas pesë minutash fshijeni mikrovalën dhe njollat do të kenë ikur.
Lëkurat e limonit mund t’i thani në diell dhe t’i fusni në qese lecke. Mund të shtoni erëzat e preferuar dhe me to të përmirësoni aromën në dollapët tuaj.
Lëkura e limonit për bukurinë e lëkurës
Lëkura e limonit përdoret për të zbardhur thonjtë, për të ndaluar të përzierat gjatë udhëtimit ose për maska lëkure.
Me lëkurat e limonit mund ta lyeni fytyrën dhe t’i mbani mbi njollat e moshës për një orë. Fytyra më pas do të zbardhet.
Spërkateni limonin me sodë buke dhe me të fërkoni bërrylat e përtharë. Pas disa minutash shpërlajini bërrylat dhe thajini.
Lëkura e limonit luan rolin e tonikut për lëkurën ose mund të përzihet me sheqer dhe të largojë qelizat e vdekura të trupit.
Ziejeni limonin në ujë për disa minuta. Pasi të jetë ftohur, shtoni çerek filxhani me qumësht bajame, dy lugë me vaj ulliri dhe disa pika me vaj esencial limoni.
Futini këmbët dhe mbajini për 20 minuta.
Do të zbuloni se këmbët janë të buta si të një fëmije./AgroWeb