Si t’i ruani kërpudhat që të qëndrojnë të freskëta për më gjatë

Si t’i ruani kërpudhat që të qëndrojnë të freskëta për më gjatë

Shëndetësi December 04, 2022 - 21:19

Të njohura për shijen e tyre, kërpudhat janë disa nga përbërësit më të gjithanshëm që mund të keni në kuzhinë.

Por shpesh mënyra se si i ruani mund të mos jetë ajo e duhura, shto këtu edhe faktin që kërpudhat janë delikate dhe prishen lehtësisht.

Duke mësuar mënyrat më të mira për të ruajtur kërpudhat, mund tu zgjasni jetëgjatësinë dhe të përfitoni sa më shumë prej tyre.

AgroWeb.org ju njeh me disa mënyra të cilat do t’ju ndihmojnë t’i ruani kërpudhat për një kohë të gjatë.

Mbajini kërpudhat të thata

Ju mund të habiteni kur të mësoni se kërpudhat përbëhen nga 80 deri në 90% ujë. Kërpudhat kanë një strukturë poroze, që do të thotë se thithin ujë si një sfungjer.

Për këtë arsye, kërpudhat duhet të mbahen të thata në mënyrë që të qëndrojnë të forta dhe të freskëta.

Pra, qëllimi kryesor për ruajtjen e tyre është të parandaloni që ato të lëshojnë ujë dhe të thithin lagështinë nga ajri. Gjithashtu është e rëndësishme të shmangni larjen e kërpudhave përpara se t’i ruani.  

Si t’i ruani kërpudhat në frigorifer

Pavarësisht se cilat variete ruani, metoda e duhur është përgjithësisht e njëjtë. Thjesht vendosni kërpudhat e plota, të palara në një qese letre dhe paloseni për ta mbyllur. Qesja e letrës do të thithë lagështinë, duke i mbajtur kërpudhat tuaja të sigurta.

Ju gjithashtu mund t’i mbështillni kërpudhat me një letër kuzhine dhe t’i vendosni në një tas në frigorifer.

Nëse kërpudhat tuaja ndodhen në një enë plastike të mbyllur, nxirrni dhe ruajini duke përdorur një nga metodat e lartpërmendura.

Kjo është shumë e rëndësishme nëse paketimi plastik nuk ka vrima, të cilat mund të bllokojnë lagështinë dhe të përshpejtojnë prishjen.

Pavarësisht nga mënyra e ruajtjes së kërpudhave që keni zgjedhur, shmangni vendosjen e kërpudhave pranë ushqimeve me erë të fortë, pasi ato do të thithin atë aromë.

Si t’i ngrini kërpudhat

Nëse nuk jeni në gjendje të përdorni kërpudhat në receta brenda një jave, merrni parasysh ngrirjen e tyre.

Kërpudhat që janë më të freskëta priren të ngrijnë më mirë, kështu që bëjeni këtë sa më shpejt të mundeni dhe mos harroni që fillimisht duhet t’i gatuani ato.

Për ta bërë këtë, kaurdisini kërpudhat me pak gjalpë ose ziejini në avull për 5 minuta.

Pasi kërpudhat e gatuara të ftohen, vendosini në një qese të sigurt për ngrirje dhe ruajini në frigorifer deri në 12 muaj.

Si t’i thani kërpudhat për ruajtje afatgjatë

Një tjetër mundësi e ruajtjes afatgjatë është tharja. Krahasuar me ngrirjen, kjo metodë ruan më mirë cilësinë e kërpudhave duke zgjatur pafundësisht jetëgjatësinë e tyre.

Kërpudhat e thara gjithashtu kanë një aromë më intensive dhe ato shkojnë në mënyrë perfekte në shumë receta.

Për t’i tharë përdorni teknikën e thjeshtë të tharjes me ajër, e cila përfshin vendosjen e kërpudhave në një rrjetë për rreth një javë. Pasi të jenë tharë plotësisht, ruajini në një kavanoz qelqi hermetik.

Shenjat që tregojnë se kërpudhat janë prishur

Ju mund të dalloni kërpudhat e prishura nëse janë të rrëshqitshme, të rrudhura, të qullta, dhe më të errëta se ngjyra e tyre origjinale, gjithashtu aroma e tyre do të jetë e keqe dhe e mykur.

Por nëse kërpudhat kanë vetëm disa njolla të errëta, ato janë ende të sigurta për t’u ngrënë. Thjesht merreni si një shenjë se ato mund të jenë gati duke u prishur. /AgroWeb