Problemet e nënave të reja që neglizhohen pas lindjes
Ndryshimet hormonale, të cilat kalojnë në ndryshime emocionale dhe çojnë deri te depresioni dhe ankthi te nënat e reja, kryesisht neglizhohen nga shoqëria në Kosovë.
Në mungesë të trajtimit të mirëfilltë, depresioni pas lindjes te nënat e reja rëndohet edhe më shumë, dhe pashmangshëm përcillet te të porsalindurit.
Neglizhenca ndaj shëndetit mendor dhe gjendjes emocionale të nënave të reja, shpesh vjen edhe si pasojë e mosinformimit të duhur lidhur me ndryshimet që vijnë me sjelljen në jetë të një fëmije.
Psikiatrja Valbona Tafilaj thotë se ndryshimet emocionale janë mjaft shqetësuese dhe duhet të përcillen me trajtim të mirëfilltë, sidomos me seance psiko-terapeutike.
Ajo thekson se nënat e reja nuk janë mirë të informuara lidhur me çrregullimet emocionale të cilat nisin gjatë shtatzënisë dhe gjatë gjithë procesit.
“Në përvojën time profesionale ka shumë paciente të cilat vijnë të trajtohen, mirëpo fillimisht nuk e kuptojnë se çfarë është duke ndodhur me to dhe se pse janë në situatë të tillë, ku kanë simptoma të ndryshme, duke filluar nga pagjumësia, të qara të pakontrolluara, bëhen shumë të ndjeshme dhe nuk kanë vullnet ose dëshirë për të bërë asgjë”, thotë Tafilaj për podkastin Libertas të Rel-it.
Ajo shton se këto raste duhet të trajtohen pasi janë shqetësuese, sidomos rastet kur në fillimi të shtatzënisë e kanë dëshirën e madhe për t'u bërë nënë dhe më pas si pasojë e ndryshimeve emocionale kjo dëshirë zbehet ose “nuk e ka fare dëshirën për të lindur fëmijën”, dhe pas lindjes fillon depresioni.
“Kjo ndodh sidomos te nënat në moshë të re të cilat përkeqësohen për shkak të ndërrimit të jetës që iu bëhet dhe nuk janë fare të përgatitura për fazën në të cilën ato tash hyjnë”, thekson Tafilaj.
Gjithë këto, sipas Tafilaj ndodhin për shkak të përgjegjësisë së madhe që sjell mëmësia, çrregullimi i ritmit të gjumit, ushqimit e të tjera.
Rastet kur është më e vështirë të menaxhohet si situatë, sipas psikiatres, janë ato kur edhe periudha e shtatzënisë përjetohet keq, me faza depresionit dhe ankth, ndërsa shton se ka raste kur edhe lindjet e dyta përcillen me depresion pas lindjes.
“Depresioni i thellë”
Një nga këto raste është edhe ai i Arta Kosovës nga Prishtina, e cila është nënë e dy fëmijëve.
“Periudhën pas lindjes së parë e kujtoj si të vështirë, por jo më të vështirë se atë pas lindjes së dytë”, thotë Arta Kosova për Rel-in.
“Me kalimin e kohës duke i menduar gjërat dhe kërkesat ‘e pakuptimta’ pas lindjes, tani më bëjnë të qesh"
Ajo thotë se përveç stresit të shtuar, për një periudhë është zgjuar me dhimbje në gjithë trupin, teksa shton se për dy muaj ka përjetuar “depresion të thellë”.
“Me kalimin e kohës duke i menduar gjërat dhe kërkesat ‘e pakuptimta’ pas lindjes, tani më bëjnë të qesh. Ikja prej bebes për të dalë për kafe më ka bërë shumë të lumtur, që tani kur e kujtoj më duket shumë e çuditshme”, thotë ajo.
Ajo thekson se nuk i ka munguar ndihma e partnerit dhe anëtarëve tjerë të familjes. Ndërsa edhe pse e vetëdijshme për depresionin në të cilin po kalonte, nuk ka kërkuar ndihmë profesionale.
“Duke shtuar edhe natën që nuk e kisha kaluar si duhet, beba e vogël, të qarat e fëmijës, dhimbjet, stresi [...] më shtynin të bëja sjellje të pahijshme, godisja tavolinën me këmbë. Do të thotë kur e kujtoj sot e shoh që nuk kam qenë në rregull me veten time”, shton Arta. /REL
Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: