Mbipesha, shkaktar i shumë sëmundjeve te fëmijët
Mbipesha te fëmijët vlerësohet të jetë një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare, të diabetit, si dhe të disa llojeve të kacereve, thonë profesionistë shëndetësorë
Në Kosovë nuk është bërë ndonjë hulumtim lidhur me atë se sa fëmijë obezë janë në vend, por thuhet se numri i tyre është në rritje. Kjo si pasojë e kequshqyerjes, apo marrjes së kalorive të tepërta përmes ushqimit të shpejtë.
Sami Uka, ekspert për shëndetin e nënës dhe fëmijës, thotë për Radion Evropa e Lirë se pasojat e fëmijëve me obezitet, në disa raste ndihen menjëherë, e në disa të tjera shfaqen më vonë, si sëmundjet kardiovaskulare e të tjera.
“Obeziteti si problem i shëndetit publik, është në rritje edhe në Kosovë. Është në rritje te moshat e reja dhe faktorët janë ushqyeshmëria e keqe, si ai i shpejtë, kalorik e që i është rrek shëndetësia publike kudo në botë për kufizimin e përdorimit të tyre, si dhe jeta dembele e fëmijëve”.
“Nga kjo dominojnë sëmundjet kardiovaskulare, diabeti tip 2 si dhe sëmundjet kanceroze. Këto do të paraqiten në fazën e mëvonshme, derisa sa i përket diabetit kjo shfaqet në fazat e hershme të fëmijërisë”, thotë Uka.
Në anën tjetër, Ramush Beiqi, pediatër- kardiolog, thotë se ndonëse Kosova nuk ka bërë ndonjë hulumtim për fëmijët me obezitet, vendet e tjera dëshmojnë faktin se ka rritje të numrit të fëmijëve me obezitet ndër vite. Ai tregon edhe pasojat që shkakton obeziteti.
“Obeziteti lidhet me sëmundje kardiovaskulare. Pesha e rritur trupore dhe mosaktiviteti fizik, në kohë të mëvonshme mund të prodhojë probleme kardiovaksulare. Dhe, e dyta, yndyrat në gjak, e që kanë ndikim në provokimin e sëmundjeve kardiovaskulare”.
“Ne nuk kemi bërë ndonjë studim në Kosovë për obezitetin, por janë bërë hulumtime në vende tjera dhe gjithkund ka të dhëna se ka rritje të numrit të fëmijëve obez . Mendoj se fajin kryesor e ka prindi, pasi insiston që fëmija ta zbrazë pjatën duke i dhënë sasi të madhe ushqimi, si dhe mbyllja në dhoma e tyre me pajisje elektronike, pa aktivitete fizike e që ka ndikuar në rritjen e kësaj problematike”, vlerëson Beiqi.
Edhe Muharrem Avdiu, pediatër në Klinikën e pediatrisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se ndonëse fëmijët obezë po shtohen, ndihma e mjekut nuk kërkohet me kohë, për t’i ikur këtij fenomeni. Sipas tij, fëmijët paraqiten te mjeku atëherë kur fillojnë problemet shëndetësore, e që më së shpeshti hasin në diabet.
“Kur fëmijët marrin kalori të tepërta, sigurisht ndodh obeziteti. Trendi i ushqimit të shpejtë dhe shumë kalorik, ka hyrë tashmë në meny ditore. Mendoj se duhet pasur kujdes, dhe mjekët mendoj se janë ata që duhet ta proklamojnë këtë problematikë. Mendoj se mjekët në këtë vijë janë të fundit , e që do duhej të ishin të parët në vetëdijesimin e prindërve sidomos për fëmijët e tyre. Te ne, në klinikë, kur i sjellin fëmijët, ata veçse janë në faza të sëmundjes. Mosaktiviteti fizik dhe racioni kryesor darka janë problemet kryesore”, konsideron Avdiu.
Në krahasimet afatgjate, thuhet se përderisa në vitin 2007, numri i fëmijëve që ishin https://www.evropaelire.org/a/semundja-e-diabetit-femijet-/28606412.htmldiagnostikuar me diabet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka qenë 12 raste, tre vjetët e fundit janë shfaqur nga rreth 50 raste të reja në vit me diabet. Këta fëmijë, janë të varur nga insulina.