Një multivitaminë në ditë ngadalëson pak plakjen biologjike
Një pilulë në ditë mund të ndihmojë në ngadalësimin e plakjes biologjike, por ekspertët paralajmërojnë se rezultatet duhen interpretuar me kujdes. Kjo është ajo që sugjeron një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Nature Medicine, shkruan salute.eu.
Studimi analizoi të dhënat e projektit COSMOS, ku rreth një mijë të rritur morën për dy vite një multivitaminë-multimineral çdo ditë ose një tabletë.
Qëllimi i studiuesve ishte të kuptonin nëse suplementi mund të ndikojë në ritmin e plakjes së organizmit.
Për këtë ata përdorën të ashtuquajturit “orë epigjenetikë”, metoda që bazohen në ndryshime kimike të ADN-së për të vlerësuar sa shpejt po plaket trupi.
Rezultatet treguan se te personat që morën multivitaminën disa nga këta tregues dukeshin se ngadalësoheshin lehtë krahasuar me grupin që mori tabletën.
Ndërkohë, ekstrakti i kakaos, i analizuar gjithashtu në studim, nuk tregoi përfitime.
Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se këta tregues janë indikatorë indirektë dhe nuk matin drejtpërdrejt gjëra thelbësore për shëndetin, si jetëgjatësia, rreziku për infarkt, kancer apo demencë.
Deri tani, provat shkencore mbi efektet e multivitaminave në këto rezultate konkrete nuk kanë treguar përfitime të qarta për popullsinë e përgjithshme.
Studiuesit shtojnë se përfitimi më i madh në studim u vu re te personat që në fillim kishin shenja të plakjes biologjike më të shpejtë.
Për këtë arsye, ekspertët paralajmërojnë se është e gabuar të përkthehet ky studim me mesazhin e thjeshtë: “vitaminat ngadalësojnë plakjen”, pasi duhen studime të tjera për të kuptuar nëse këto ndryshime ndikojnë realisht në shëndetin dhe jetëgjatësinë e njerëzve./atsh