Jo zemra, jo truri; dhëmbët zbulojnë sekretin e jetëgjatësisë
Shëndeti i dhëmbëve mund të jetë më shumë se një buzëqeshje e bukur, ai duket se ndikon drejtpërdrejt në jetëgjatësi. Studime të fundit japoneze tregojnë se mungesa e dhëmbëve, kariesi i patrajtuar dhe dobësia orale, lidhen me rrezik më të lartë vdekjeje, sidomos tek të moshuarit, sipas “The Sun”.
Dobësia orale përkufizohet nga të paktën tre nga këto simptoma, më pak se 20 dhëmbë, vështirësi në përtypje ose gëlltitje, gojë e thatë, ose probleme në të folur.
Një studim gjashtëvjeçar me rreth 11 mijë persona mbi 65 vjeç tregoi se ata me dobësi orale kishin jetëgjatësi më të shkurtër të shëndetshme dhe 34 % rrezik më të lartë vdekjeje krahasuar me të tjerët.
Edhe faza e ndërmjetme, kur shfaqet vetëm një ose dy simptoma, lidhet me përkeqësim të shëndetit dhe rritje të rrezikut. Studiuesit japonezë paralajmërojnë se kjo nuk ka lidhje vetëm me faktorë ekonomikë ose sëmundje ekzistuese, dobësia orale vetë është tregues i rrezikut.
Vizitat te dentisti kanë efekt të dukshëm në jetëgjatësi. Personat që kishin bërë një vizitë dentare brenda gjashtë muajve jetonin rreth një vit më shumë në shëndet të mirë, edhe nëse tashmë kishin shenja të dobësisë orale. Ata që nuk vizitonin dentistin kishin 25% rrezik më të lartë vdekjeje.
Një studim tjetër me 200 mijë persona mbi 75 vjeç zbuloi se dhëmbët e mbushur (të trajtuar) lidhen me mbijetesë më të gjatë. Personat me 21 ose më shumë dhëmbë të shëndetshëm ose të mbushur kishin rrezikun më të ulët të vdekjes, ndërsa burrat pa dhëmbë kishin 74% rrezik më të lartë, dhe gratë 69% më të lartë.
Ky efekt lidhet me aksesin në kujdes dentar: dhëmbët e trajtuar tregojnë se individi ka marrë kujdes të rregullt, duke parandaluar inflamacionin kronik dhe problemet ushqimore që ndikojnë në shëndetin e përgjithshëm. /atsh