Si ta shpëtoni bredhin e Vitit të Ri nga macja: Dy truke të thjeshta që funksionojnë vërtet

Si ta shpëtoni bredhin e Vitit të Ri nga macja: Dy truke të thjeshta që funksionojnë vërtet

Lifestyle December 25, 2025 - 17:12

Pa stres, pa produkte kimike dhe pa shpenzime - gjithçka ju nevojitet e keni tashmë në kuzhinë

Nëse keni mace, me shumë gjasë e mendoni paraprakisht se si do të sillet ajo pranë bredhit të Vitit të Ri. Papritur, në hapësirën ku ajo jeton shfaqet një “pemë” e madhe, plot drita që vezullojnë, topa që lëkunden dhe zbukurime që duken si lodra perfekte. Për macen, bredhi nuk është dekor festiv, por një objekt i ri, intriguese dhe sfidues për t’u ngjitur, për t’u kapur dhe, ndonjëherë, për t’u rrëzuar.

Për fat të mirë, ka disa mënyra të thjeshta dhe të sigurta për ta mbajtur macen larg bredhit, pa stres, pa ndëshkime dhe pa produkte kimike. Dy truket kryesore vijnë drejtpërdrejt nga kuzhina juaj.

Citruset - aroma që macet e shmangin instinktivisht

Macet kanë nuhatje shumë të ndjeshme dhe shumica e tyre nuk e durojnë aromën e agrumeve. Limoni, portokalli, mandarina apo grejpfruti mund të përdoren si “barrierë natyrale” rreth bredhit. Mund të vendosni lëvore të freskëta ose të thata pranë trungut, në vazon e bredhit ose edhe të varura si dekor i padukshëm mes degëve të poshtme. Aroma e agrumeve për macen është e pakëndshme dhe e mban instinktivisht larg, ndërsa për njerëzit mbetet e freskët dhe festive.

Disa pronarë përdorin edhe spërkatje të lehta me ujë ku janë shtrydhur disa pika limoni, por pa e tepruar që të mos dëmtohen zbukurimet, transmeton Telegrafi.

Letra e aluminit - teksturë që macet nuk e pëlqejnë

Nëse macja juaj tenton të ngjitet ose ta rrëzojë bredhin, zakonisht fillon nga trungu. Mbështjellja e trungut me letër alumini është një zgjidhje shumë efektive, sepse macet nuk e pëlqejnë aspak ndjesinë dhe zhurmën që ajo krijon nën putra. Kontakti i parë zakonisht mjafton që macja të humbasë interesin. Letra e aluminit është e padëmshme, e lirë dhe hiqet lehtë pas festave.

Këshilla shtesë për një bredh “miqësor me macet”

– Vendosni zbukurimet më të brishta dhe dritat më lart, larg arritjes së maces.
– Shmangni dekorimet që duken si lodra (pupla, fjongo të gjata, topa shumë të vegjël).
– Sigurojeni bredhin mirë në bazë, në mënyrë që të mos rrëzohet edhe nëse macja tenton ta prekë.
– Jepini maces një alternativë: lodra të reja ose një vend të lartë ku mund të ngjitet, që të mos e shohë bredhin si të vetmen “sfidë” interesante.

– Mos e ndëshkoni macen - kureshtja është pjesë e natyrës së saj dhe ndëshkimi vetëm rrit stresin

Me pak kreativitet dhe këto truke të thjeshta, është e mundur që bredhi të mbetet i paprekur, ndërsa macja e qetë dhe e sigurt. Festat mund të jenë të bukura edhe për ju, edhe për mikun tuaj me katër putra.