
Kur rrobat e bardha marrin ngjyrë: Zgjidhje të thjeshta për problemet në rrobalarëse
Parandalimi është çelësi, por edhe kur aksidenti ndodh, ka metoda praktike që funksionojnë
Një çorape e kuqe, një kanotiere apo një bluzë me ngjyrë të fortë janë shpesh fajtorët kryesorë që prishin pamjen e rrobave të bardha. Ky problem ndodh sepse ngjyrat e forta, sidomos tek rrobat e reja, lëshojnë pigment gjatë larjes, veçanërisht në temperatura të larta.
Prandaj, si rregull i parë, ndarja e rrobave sipas ngjyrës është domosdoshmëri: të errëtat më vete, të shndritshmet më vete dhe të bardhat gjithmonë të izoluara. Megjithatë, kur dëmi tashmë ka ndodhur, ekzistojnë disa mënyra të thjeshta për ta zgjidhur.
Çfarë duhet të bëni?
Kontrolloni etiketën – Nëse simboli i trekëndëshit me një X tregon që rroba nuk duron zbardhues, mos e provoni këtë metodë. Rrobat 100% pambuk (çarçafë, peshqirë, të brendshme) zakonisht e përballojnë pa problem.
Metoda e zbardhuesit – Për rrobat e bardha, njomni ato për 15-30 minuta në ujë me pak zbardhues. Pastaj lajeni në program të shkurtër dhe përdorni shpëlarje të dyfishtë për të eliminuar mbetjet.
Leckat për kapjen e ngjyrave – Nëse rrobat nuk durojnë zbardhues, shtoni në larjen tjetër leckat speciale që thithin pigmentin. Ato gjenden në shumicën e dyqaneve dhe parandalojnë përhapjen e mëtejshme të ngjyrave.
Soda e bukës dhe eliminuesi i njollave – Hidhni sodë buke në ndarjen përkatëse dhe kombinoni me lëng eliminues njollash. Kjo ndihmon në zbutjen e ngjyrës së kapur dhe rikthimin gradual të bardhësisë, transmeton Telegrafi.
Këshilla për të shmangur përsëritjen
ë Lani rrobat e reja të ngjyrosura gjithmonë veçmas, të paktën për disa larje të para.
ë Përdorni detergjente për mbrojtjen e ngjyrës.
ë Mos e mbingarkoni rrobalarësen: qarkullimi i mirë i ujit ndihmon që ngjyrat të shpëlahen më lehtë.
Nëse dyshoni te një rrobë me ngjyrë të fortë, bëni një test të thjeshtë: njomni një pjesë të vogël në ujë të ngrohtë dhe shihni nëse lëshon pigment.
Një gabim i vogël në ndarjen e rrobave nuk do të thotë që duhet t’i hidhni. Me pak durim dhe këto metoda, shumicën e kohës mund t’i shpëtoni rrobat e bardha nga “aksidenti i kuq”.
