
Pse një film, libër ose citat “na ndryshon jetën”, por vetëm për disa orë?
Ke parë ndonjëherë një film që të ka prekur aq shumë sa për një çast ke menduar: “Që sot do të jem ndryshe”?
Ose ke lexuar një frazë të shkurtër që të ka bërë të ndihesh sikur dikush më në fund të shpjegoi kuptimin e jetës? Dhe pastaj… pas disa orësh, e gjete veten përsëri aty ku ishe më parë?
Ky është një realitet i zakonshëm, jo një dështim personal.
Iluzioni i trurit
Kur përfytyrojmë një version më të mirë të vetes, truri ynë reagon sikur tashmë kemi filluar ndryshimin. Ai na jep shpërblimin emocional që normalisht vjen pas arritjes së një suksesi real. Për këtë arsye, vetëm imagjinimi i një të ardhme më të mirë mjafton për të na dhënë një ndjenjë ngopjeje.
Por ky shpërblim është i parakohshëm. Ndjenja e përmbushjes zëvendëson veprimin. Dhe kështu, frymëzimi që duhet të na shtyjë përpara, shpesh bëhet arsyeja pse nuk lëvizim dot.
Pse është kaq e vështirë të ndryshojmë?
Sepse ndryshimi i vërtetë është kërcënim për identitetin tonë aktual. Truri kërkon vazhdimësi, stabilitet, gjëra të njohura. Çdo tentativë për të dalë nga rutina e ngjall pasiguri dhe kjo na bën të shtyjmë, të justifikohemi, ose thjesht të harrojmë.
Nuk është dobësi; është një mekanizëm i brendshëm për mbrojtje.
Nëse mendoni se jeta e aktorëve është “fushë me lule” zbuloni sakrificën që i është dashur të bëjë Mila Kunis-it për një rol…
Momentet që treten shpejt
Ato çaste të forta kuptimi – kur një fjalë, një skenë apo një ide na dridh shpirtin – janë si një dritare që hapet për pak. Por sapo rikthehemi te zhurmat, telefonatat, detyrat e përditshme, ajo dritare mbyllet. Vizioni i vetes sonë ideale zbehet, dhe jeta rrëshqet sërish në shinat e zakonshme.
Nga “gjendja e nxehtë” te rutina e ftohtë
Kur jemi të frymëzuar, jemi në një gjendje të veçantë: të përqendruar, të emocionuar, gati për ndryshim. Por kjo nuk është gjendja në të cilën jetojmë shumicën e ditës. Pjesa më e madhe e jetës rrjedh në automatizëm, ku frymëzimi tingëllon larg dhe i parëndësishëm.
Sekreti nuk është frymëzimi, por struktura
Për të bërë ndryshim të qëndrueshëm, nuk mjafton të presim momentin e radhës që do të na zgjojë shpirtin. Duhet të ndërtojmë ura mes frymëzimit dhe rutinës: zakone të vogla, struktura konkrete, veprime të përsëritura.
Frymëzimi është vetëm fillimi. Ndryshimi i vërtetë ndodh kur zgjohesh çdo ditë dhe ecën përpara, edhe kur emocionet janë shuar. /oranews