Truqet që e bëjnë grimin të qëndrojë edhe kur jashtë është vapë
Foto: Ilustrim

Truqet që e bëjnë grimin të qëndrojë edhe kur jashtë është vapë

Lifestyle August 06, 2025 - 08:11

Fiksatorët janë formula të krijuara për mbrëmje dhe ditë të nxehta vere, kur çdo dalje jashtë është sfidë për grimin. Ata e hidratojnë lëkurën dhe i japin shkëlqim, pa e bërë atë të duket e yndyrshme

Kur planifikojmë të vendosim grim në ditët e nxehta, disa elementë janë kyç, grimi mat dhe ai në formulë të thatë janë më praktikë sesa ai me bazë të yndyrshme. Në këtë rast ndihmojnë edhe fiksatorët, të cilët aplikohen si spërkatës mbi fytyrë.

Formulat mat, siç janë pudrat që e mbajnë lëkurën pa shkëlqim, janë shumë të përshtatshme këto ditë. Ato aplikohen si një shtresë e lehtë që nuk e “mbyt” lëkurën apo poret. Edhe pudra e lehtë në formë pluhuri është ideale, sepse grimcat e saj e thithin djersën, duke e lënë fytyrën të freskët dhe të grimuar bukur. Pudrat moderne kanë grimca shumë të imta, kështu që nuk e mbulojnë fytyrën si maskë.

Në vend të blush-it kremoz, është më praktike të përdoret ai në formë guri, sepse ka formulë të thatë dhe nuk zhduket shpejt nga fytyra, transmeton Telegrafi.

Fiksatorët, siç u përmend më parë, janë idealë për ditët me vapë dhe mbrëmjet jashtë. Ata hidratojnë, i japin lëkurës një shkëlqim natyral pa e yndyrosur. Ekzistojnë edhe fiksatorë me efekt mat – zgjidhini këta nëse keni lëkurë që gjithmonë shkëlqen, pavarësisht temperaturës.

Grimi rezistent ndaj lagështisë, i njohur si rezistues ndaj ujit, është veçanërisht praktik në këtë periudhë, qoftë në plazh apo në qytet.

Ky lloj grimi është më i vështirë për t’u hequr, ndaj është shumë i qëndrueshëm gjatë ditëve me diell. Ylli i këtyre produkteve është maskara rezistuese ndaj ujit, që zgjat me orë të tëra.

Megjithatë, grimi i tillë largohet vetëm me produkte pastruese në bazë vaji, jo me qumësht pastrues të zakonshëm. Prandaj, para gjumit, është shumë e rëndësishme të hiqet i gjithë grimi për të lejuar lëkurën të marrë frymë lirshëm.

Në përgjithësi, këto ditë është më praktike të keni më pak grim sidomos nëse qëndroni shpesh jashtë ose shkoni në festa.

Përqendrohuni tek buzëkuqet, maskarat rezistente ndaj ujit dhe qerpikët artificialë për një pamje më të freskët dhe të qëndrueshme.