Ja si ta mposhtni pagjumësinë
Foto: Ilustrim

Ja si ta mposhtni pagjumësinë

Lifestyle July 29, 2025 - 08:17

Zgjidhja për netët pa gjumë mund të jetë më e thjeshtë se që mendoni

Nëse përballeni me vështirësi për të fjetur, zgjidhja nuk qëndron domosdoshmërisht te qetësuesit apo pilulat për gjumë.

Një studim i gjerë i publikuar në revistën shkencore BMJ Evidence-Based Medicine tregon se aktiviteti fizik i rregullt, në veçanti joga dhe tai chi, mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e gjumit, shpesh më efektshëm sesa trajtimi me medikamente.

Joga dhe tai chi: të pazëvendësueshme për gjumë të thellë

Në këtë studim janë krahasuar 13 metoda të ndryshme për trajtimin e pagjumësisë, përfshirë teknika të ndryshme të ushtrimeve fizike.

Rezultatet treguan se joga dhe tai chi ishin ndër ndërhyrjet më efikase: joga ka ndihmuar në zgjatjen e gjumit me pothuajse dy orë dhe ka përmirësuar efikasitetin e tij, ndërsa tai chi ka reduktuar zgjimet e natës dhe kohën që nevojitet për të rënë në gjumë, me përfitime që mund të zgjasin deri në dy vjet, transmeton Telegrafi.

Si ndikon aktiviteti fizik në cilësinë e gjumit?

Shkencëtarët theksojnë se ushtrimet ndihmojnë në mënyra të shumëfishta: ulin ankthin, stimulojnë prodhimin e melatoninës (hormoni i gjumit), reduktojnë nivelin e kortizolit (hormoni i stresit) dhe rrisin fazën e gjumit të thellë. Edhe format më të lehta të aktivitetit, si ecja dhe vrapi i moderuar, kanë treguar rezultate pozitive, sidomos në lehtësimin e simptomave të pagjumësisë kronike.

A duhet të jetë ushtrimi zgjedhja e parë?

Megjithëse terapia kognitive-biheviorale për pagjumësinë (CBT-I) mbetet trajtimi më i suksesshëm në baza afatgjata, ushtrimet fizike ofrojnë një alternativë më të arritshme, më të lirë dhe pa efekte anësore të dëmshme. Autorët e studimit sugjerojnë që aktiviteti fizik të konsiderohet ndër trajtimet e para për pagjumësinë, e jo vetëm si një shtesë ndaj terapive të tjera.