
Flini para kësaj ore nëse doni të mbeteni shtatzënë
Shkencëtarët kanë zbuluar saktësisht se kur duhet të shkoni në shtrat nëse po planifikoni një shtatzëni.
Gratë që planifikojnë të mbesin shtatzënë zakonisht përqendrohen te një ushqim i shëndetshëm dhe i balancuar, reduktimi i stresit dhe aktiviteti fizik i rregullt, por një studim i ri zbulon edhe një faktor tjetër kyç që mund të ndikojë ndjeshëm në mundësinë për të ngjizur.
Sipas studimit, gratë që dëshirojnë të mbesin shtatzënë duhet të flenë më së voni deri në orën 22:45. Studiuesit kanë ndjekur 4.000 gra në moshë riprodhuese gjatë pesë viteve për të parë se si orari i gjumit ndikon në shanset për ngjizje.
Dihet tashmë që gjumi është i rëndësishëm, por këto rezultate tregojnë se nuk ka rëndësi vetëm sa orë flejnë gratë, por edhe koha kur shkojnë në shtrat.
Në fakt, u zbulua se gratë që shkojnë rregullisht në gjumë pas orës 22:45 kanë 22 për qind më shumë gjasa të përballen me vështirësi për të ngjizur. Pra, nuk ka rëndësi vetëm gjatësia e gjumi, por edhe shmangia e gjumit të vonë, shkruan Daily Mail, përcjell Telegrafi.
Problemet me ngjizjen prekin rreth 15 për qind të çifteve në Britaninë e Madhe dhe përkufizohen si pamundësia e një gruaje për të mbetur shtatzënë pas 12 muajsh ose më shumë marrëdhëniesh të rregullta dhe të pambrojtura. Rreth 30 për qind e rasteve i atribuohen grave, 30 për qind burrave, ndërsa pjesa tjetër lidhet me faktorë të përbashkët ose të panjohur.
Shkencëtarët nga spitali Second Xiangya në Henan, Kinë, studiuan se si zakonet e ndryshme të gjumit ndikojnë te gratë që aktivisht përpiqen të mbeten shtatzënë. Nga analiza u përjashtuan faktorë të tjerë që mund të ulnin mundësinë e ngjizjes, si mbipesha, pirja e duhanit dhe përdorimi i tepruar i alkoolit.
Rezultatet, të publikuara në revistën Frontiers in Endocrinology, treguan se nuk ka ndryshim të madh në normat e fertilitetit te gratë që shkojnë në gjumë deri në orën 22:45. Por pas kësaj ore, shanset për të mbetur shtatzënë bien ndjeshëm me mbi një të pestën.
Studiuesit besojnë se gjumi i vonë e çrregullon orën e brendshme biologjike dhe shkakton ndryshime hormonale që zvogëlojnë mundësinë që veza të fekondohet. Për këtë arsye, ata përfundojnë se për gratë në moshë riprodhuese është shumë e rëndësishme të respektojnë orare më të hershme të gjumit për të rritur gjasat për ngjizje.