
Shkenca zbulon ndikimin e orës së ditës në gjendjen tonë emocionale
Një studim ka zbuluar se gjendja jonë emocionale nuk mbetet e njëjtë gjatë ditës dhe madje ndryshon edhe sipas ditëve të javës e stinëve.
A e ke vërejtur ndonjëherë se në mëngjes je më optimist, ndërsa në mbrëmje më i lodhur dhe pa shumë motivim?
Nuk është vetëm ndjesi – është e lidhur ngushtë me ritmet tona biologjike dhe ndikimin e kohës në shëndetin mendor.
Një studim i madh nga University College London, i botuar në BMJ Mental Health, tregon se ndjesitë tona – si lumturia, ankthi apo vetmia – ndryshojnë brenda një dite, nga mëngjesi në mbrëmje, por edhe gjatë javës dhe stinëve.
Studiuesit analizuan përgjigjet e mbi 49 mijë të rriturve për një periudhë dyvjeçare (2020–2022). Pyetjet përfshinin ndjesinë e lumturisë, kënaqësinë me jetën dhe ndjenjën e qëllimit.
- Jemi më të lumtur të hënave dhe të premteve, sesa të dielave.
- Shëndeti mendor përmirësohet ndjeshëm gjatë verës.
- Mëngjesi është periudha kur ndihemi më mirë emocionalisht, për shkak të nivelit të lartë të kortizolit, hormonit që ndihmon në motivim dhe energji.
Ndërsa në mbrëmje, lodhja dhe ngarkesa e ditës mund të ndikojnë në humorin tonë – prandaj mos u çudit nëse ndihesh më i/e rraskapitur emocionalisht në fund të ditës.
Kujdesi për mirëqenien duhet të jetë i vazhdueshëm – dhe të dish kur ke më shumë ose më pak energji mendore mund të ndihmojë në menaxhimin e ditës me më shumë kujdes dhe dashamirësi ndaj vetes.