![Rrjetet sociale shkaktojnë varësi jo vetëm te fëmijët, por edhe te të moshuarit](/uploads/zeri.info/images/2025/February/11/auto_-640-0-gr-17392712971739285495.png)
Rrjetet sociale shkaktojnë varësi jo vetëm te fëmijët, por edhe te të moshuarit
Rrjetet sociale kanë krijuar varësi dhe jo vetëm te fëmijët dhe të rinjtë, por tashmë edhe te gjyshërit tanë, të cilët si pa e kuptuar qëndrojnë me orë të tëra nëpër platformat sociale, duke u izoluar kështu nga realiteti dhe bota që i rrethon.
“Në kushtet kur këto mosha fillojnë të ndihen më të vetmuar, më të izoluar, jo me aktivitetin që kanë pasur më përpara, tek ata fillon një kuriozitet për rrjetet sociale. Dihet ndërkohë që algoritmi i këtyre platformave, të mban të varur në rrjetet sociale.
Duhet të kuptojmë që bërja e një komenti, e një statusi, një fotot apo një share, ndikon edhe në çlirimin e dopaminës. Kjo bën që aktiviteti të përsëritet vazhdimisht dhe detyrimisht krijon varësi në rrjetet sociale. Kjo varësi nis me shkëputjen e komunikimit.
Fillimisht qëndrojnë me orë të tëra vetëm, ndonjëherë nuk kanë interes as për lajmet, kur dihet që këto mosha, janë të dhënë pas tyre, shkëputet komunikimi me bashkëshorten, me shokë apo miq që kishin në përditshmërinë e tyre.
Çdo gjë e shikojnë duke bërë scroll në telefonin e tyre. Këto mosha kanë nevojë për aktivitete sociale, kanë nevojë që fëmijët, nipërit, të dalin me ta, t’i aktivizojnë në aktivitete sociale, jashtë mureve të banesës.
Qëndrimi i zgjatur në rrjetet sociale dhe bërja vazhdimisht e të njëjtit veprim mund të ndikojë negativisht edhe në sëmundjen e Alzheimerit, demencë, apo në problematika të shëndetit mendor. Janë mosha që kanë nevojë për aktivitet fizik që të mbajnë trupin dhe mendjen të shëndetshme”, shprehet Valbona Treska, psikologe. /oranews